Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca e jashtëzakonshme ku po diskutohet për marrëdhëniet diplomatike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se zëvendësimi i taksës 100 për qind me masën e reciprocitet është qëndrim normal, teksa ka shtuar se është i bindur që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë bërë marrëveshje, transmeton Telegrafi.
“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës dhe fillim të dialogut, por për heqje të tarifës dhe për mbyllje të dialogut me marrëveshje të gatshme në mes të dy presidentëve. Jam i bindur që ka një marrëveshje të gatshme, dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë si kryeministër, në mënyrë që të marrë fuqi ai që në emër të Kosovës me negociata sekrete ka bërë marrëveshje, që tash të gatshme do ta servojë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se negociatat sekrete nuk janë ndalur asnjëherë, dhe se tash si kryeministër ka më shumë informacione.
“Mbajtja e tarifës 100 për qind siç është pa reciprocitet është pozicion ekstrem. Pra të thuash tarifë 100 për qind, dhe të thuash që nuk e qaj kokën për asgjë është pozicion ekstrem. Edhe heqja e plotë e tarifës 100 për qind pa e përmendur fare reciprocitetin është po ashtu pozicion ekstrem. Ne duhet të jemi kundër këtyre ekstremeve, ne duhet të jemi normal. Dhe unë jam i bindur që ka një qëndrim normal dhe ky është zëvendësimi i tarifës me reciprocitet. Negociatat sekrete nuk janë ndalur asnjëherë, si kryeministër kam më shumë informacione se sa kur isha kryetari Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar kryeministri Kurti.