Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë para mbajtjes së Samitit për Ukrainën.
Në samit do të marrin pjesë disa liderë të Evropës juglindore.
E mërkura e 28 shkurtit sjell presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe disa liderë të Evropës juglindore në kryeqytetin e Shqipërisë, me ftesë të kryeministrit Edi Rama, për mbajtjen e Samitit për Ukrainën.
Udhëheqësi ukrainas ka mbërritur në Tiranë pak para mesnatës, sipas ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Kjo do të jetë vizita e parë e Zelenskyt në Tiranë, e cila vjen pak ditë pasi u bënë dy vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotëtë Ukrainës.
Kryeministri shqiptar është shprehur krenar për organizim të samitit.
Gjatë pjesëmarrjes në ekspozitën “Ukraina, një krim lufte” në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, Rama tha se, përveç pranisë si “bashkorganizator” në samit, Zelensky do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderë politikë të Shqipërisë.
Takimet me ta do të zhvillohen para samitit, që do të nisë në orën 11:30.
Në delegacionin e Ukrainës do të bëjë pjesë edhe ministri i Jashtëm i vendit, Dmytro Kuleba.