Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonaldhe sektorin privat.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera pritet të jetë rreth 400 milionë euro, për periudhën deri në vitin 2027.
“Si pjesë e marrëveshjes, BERZH-i dhe Qeveria e Kosovës kanë identifikuar disa projekte prioritare në fushat me rëndësi kyç, duke përfshirë infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, projektet e menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, energjinë e rinovueshme dhe telekomunikacionin”, thuhet në njoftimin për media.
Ky memorandum u arrit në margjinat e Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor 2024.
“Qeveria jonë është e përkushtuar për të mbyllur boshllëqet infrastrukturore në Kosovë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik. Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar sot tregon përkushtimin tonë për rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, mjedisin dhe energjinë, të cilat do të çojnë në rritje të përshpejtuar ekonomike dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët tanë”, ka thënë kryeministri Kurti në komunikatë.
Presidenti i BERZH-it, Odile Renaud-Basso tha se Kosova përballet me nevoja të rëndësishme që përfshijnë sektorin publik dhe privat.
“Ne kemi objektiva ambicioz në shumë fusha që mund të përmbushen përmes një partneriteti të fortë dhe të suksesshëm me qeverinë. Kjo marrëveshje nënvizon synimin tonë për të përmbushur objektivat tona kryesore strategjike në Kosovë”, ka thënë ai.
Deri më sot, BERZH ka investuar pothuajse 680 milionë euro në Kosovë përmes mbi 100 projekteve.