Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, është pajtuar që t’i bashkohet Real Madridit në verë.
Kapiteni i Francës, 25-vjeçari Mbappe, i ka thënë PSG-së se dëshiron të largohet nga klubi kur t’i skadojë kontrata në muajin qershor.
Mbappe ende nuk ka nënshkruar kontratë me Realin, por marrëveshja do të zyrtarizohet kur klubet nuk do të kenë mundësi të takohen më në Ligën e Kampionëve në edicionin aktual, ka shkruar “BBC” të martën. Fituesi i Kupës së Botës është golashënuesi më i mirë i PSG-së me 244 gola.
Mbappe dëshironte që e ardhmja e tij të vendosej para muajit mars, kështu që më 13 shkurt, para stërvitjes, ai u takua me presidentin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, dhe i ka treguar se dëshiron të largohet e t’i bashkohet Realit.
Pasi u përhap lajmi për largimin e tij, Mbappe u la jashtë formacionit titullar për duelin e së shtunës kundër Nantesit. Megjithatë, ai u inkuadrua si zëvendësues dhe shënoi penallti në fitoren e PSG-së, që tashmë ka krijuar diferencë prej 14 pikëve në krye të Ligue 1.
Ai pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Realin dhe do të fitojë 15 milionë euro në vit, ndërsa bonusi prej 150 milionë eurove do të paguhet për pesë vjet. Ai do ta mbajë edhe përqindjen e të drejtave të imazhit të tij. Mbappe mund të luajë si sulmues qendre, ndërsa në verë, në rast të largimit të Luka Modriqit, ai do ta marrë fanellën me numrin 10-të.