Javën e kaluar, SHBA-ja i ka dhënë një goditje Qeverisë së Kosovës. Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili tha se vendimi për ta zbatuar rregulloren e BQK-së për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë. Ndërsa para tij, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien paralajmëroi se SHBA mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse merr vendime pa u konsultuar, raporton Gazeta Sinjali.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka këmbëngulur se “raportet janë shumë të mira” dhe se ai “i qëndron kësaj fjale”.
Kurti tha se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara është i mirë, por se kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”.
Ai tha se Qeveria e tij duhet ta respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb, sepse me Kushtetutë dhe ligj e ka për detyrë.
Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.
Ngjashëm insistoi edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se vendimi për dinarin i ka prekur tashmë raportet mes dy vendeve.
Deklaratën e ashpër të O’Brien, e ka komentuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Konjufca ka thënë se deklarata e O’Brien ishte shqetësuese, por sipas tij “partneriteti është mos me u befasu”, duke aluduar se SHBA-të u befasuan me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.
“Ajo ishte shqetësuese. Nuk ka çka me interpretu aty. Ne dëshirojmë që të trajtohemi me partneritet nga ana e Kosovës. Tash aty munden me e interpretu sepse z. O’Brien po konsideron që me e ndalë dinarin në Kosovë është mu prishë partneriteti me SHBA-në. Tash na duhet me shtru pyetjen se pse qenka kjo. Pse pe prishka relacionin e Kosovës me SHBA-në?”, deklaroi Konjufca.
“Unë qysh e interpretoj, është kështu: Sepse komuniteti serb ka jetu me dinarin 24 vjet. Është sikur me diçka mësohesh, ajo është përditshmëria jote, shkon çohesh në mëngjes shkon aty në vetëshërbim, paguan aty me dinar, del atje merr pagën, del pensioni këndej. Krejt jeta jote është dinari. Ai është një komunitet i Kosovës që jeton në Kosovë. Tash nëse e ndal dinarin, mënyra qysh kanë jetu ata, tash atyne iu mbrapet jeta, iu kthehet përmbys. Ata po thonë që ju përmes këtyre veprimeve kështu, ju po na befasoni. E partneriteti, është mos me u befasu”.
“Tash, unë ty të them “mirë ish kanë me më kallëzu më herët”. Atje a di për çka flitet në veri? Ata pensionerat u çuan në protestë, ajo të shkakton tensione. Tash tensionet e rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe nëse cenohet siguria mundet me ardhë deri tek dalja jashtë prej kontrollit. Kur del situata jashtë prej kontrollit, përgjegjësinë më të madhe prapë e merr Amerika. Jo përgjegjësinë pse ka dalë, po për me e nalë me e kthy në binarë. Gjithmonë e shohin këtë prej perspektivës së sigurisë”.
“Qëllimi jonë është me e kuptu sa ma mirë që është e mundshme se cili është kufiri mes detyrave të shpisë që duhet mi bë patjetër dhe cilat janë ato që asnjo s’duhet me i bë pa vetë, pa pytë. Një shtet është i organizuar në masën që don me i ditë ato që duhet me i bë vetë edhe cilat janë ato kur duhet me pytë”, deklaroi Konjufca për Demos.