Udhëzimi administrativ për qeset e plastikës që disa i ndalon tërësisht e të tjerat i bën me pagesë ka hyrë në fuqi tash e sa muaj.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pati deklaruar se ky udhëzim administrativ ndalon përdorimin e qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron.
“Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 de 25 micron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 cent por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve”, pati thënë ministri Aliu.
Inspektimet kanë filluar, por deri më tani asnjë gjobë nuk është shqiptuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga kjo Ministri. “Deri më tani Inspektorati i MMPHI, nuk ka shqiptuar gjoba rreth qeseve të plastikës”, thuhet në përgjigjen e MM-së.
E për ta mbikëqyrur zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ, janë vetëm pesë inspektorë në Kosovë.
Këtë e kanë konfirmuar për Front Online nga Ministria e Mjedisit. “Inspektorati i MMPHI- ka 5 inspektor për mbrojtje të mjedisit. Këta e kanë për detyrë zbatimin e UA për qese të plastikës. Në plane të punës se Inspektoratit kane hyrë prodhuesit e qeseve të plastikës dhe ne tani veç kemi filluar me inspektime pas inspektimeve do të kemi edhe raportet e plota sa i përket këtyre inspektimeve të cilat do te bëhen publike!”, thuhet në përgjigjen e ministrisë të dhënë për Front Online.
Skeptik se do të realizohet me sukses udhëzimi administrativ për qeset e plastikës shprehet, anëtari i Komisionit për Mjedis, njëherit deputet i PDK-së, Isak Shabani.
Ai për Front Online tha se për t’u zbatuar ky udhëzim administrativ duhet të rritet numri i inspektorëve.
“Nga ajo që shihet se nuk po zbatohet plotësisht ligji, një ndër masat duhet rritur efikasitetin e inspektorëve por edhe nëse ka nevojë të rritet numri i inspektorëve”, tha ai.
Deputeti Shabani tha për Front Online se Udhëzimi Administrativ që ndalon disa qese të plastikës nuk është duke u zbatuar plotësisht.
“Sa i përket ligjit këtë e ka miratuar Kuvendi. Implementues janë Ministrit përkatëse. Ajo çka shihet nga tereni, kjo nuk është duke u zbatuar në plotëni”, u shpreh ai.
Deputeti Shabani fajësoi Inspektoratin se nuk po merr masa ndaj qytetarëve që bizneset po shesin qese me llogo. “Fajtor për shitjen e qeseve me llogo janë inspektoratet që nuk po marrin masa”, deklaroi ai për Front Online.
Për moszbatim të këtij udhëzimi administrativ janë ankuar edhe qytetarët.
Për të njëjtin para disa dite ka reaguar edhe ish-drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi.
Ai përmes një postimi ka publikuar një video duke e kritikuar një market se si shet qese me llogo. “Shumica e marketeve nuk e respektojnë Udhëzimin për qeset e plastikës. Vazhdojnë me i shitë qeset me llogot e biznesit, tash na veç u’a paguajmë reklamën”, ka shkruar Demi në Facebook.
Kaçaniku për qeset e plastikës: Udhëzimi është marr pa diskutim publik, ka nisur mbrapsht për interesa personale
Udhëzim Administrativ të mbrapsht e quajnë nga Shoqata “Konsumatori”, Udhëzimin për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikes.
Kjo sipas kryetarit Selatin Kaçaniku pasi që nuk janë ftuar fare në diskutim.
“Ky udhëzim administrativ është marr pa diskutim publik, pa debat, pa marrëveshje, me grupin kryesor të interesit, pa qytetarin konsumatorë të cilët po e obligojnë me 5 cent me ble qese. Është nis mbrapsht, dikush ka pas interesa të mbrapshta”, u shpreh ai.
Ai thotë që Qeverisë po i përshtatet që qytetari mos me reagu. “Po shpresojmë që këta do t’i hapin sytë. Por si duket këta jo vetëm që janë qorru por këta po iu konvenon se nëse qytetari kish me qenë sy qel këta nuk kishin me mujt kurrgjë me bë”, tha ai për Front Online.
Kujtojmë se përdorimi i qeseve të plastikës falas tash e tutje do të jetë i mundur vetëm për qeset që përdoren për fruta nga 0 deri në 25 micron.
Ndërkohë, në Udhëzimin Administrativ për qesen e plastikës, qeset nga 25 deri në 50 micron do të kushtojnë 5 cent. /FrontOnline/