Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve, pas raportimeve se ka pasur një tentim atentat ndaj tij.
Të shtunën, pas homazheve te ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, që vdiqën gjatë protestës së vitit 2007, Kurti ka thënë se ka mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët në Beogradin zyrtar.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) ka raportuarnga burimet e sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.
Për “regjim të posaçëm të komunikacionit” kishte njoftuar edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut për vizitën e Kurtit në Shkup më 9 dhe 10 shkurt.
“Ministria e Brendshme njofton opinionin se sot dhe nesër (9 dhe 10 shkurt) për shkak të vizitës së paralajmëruar zyrtare të një delegacioni të kryesuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Siguria Rrugore Njësia e RSSH-së Shkup do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit për përdoruesit e rrugës në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’u binden urdhrave që do të jepen nga punonjësit e uniformuar të policisë”, thuhet në njoftimin e tyre.