Retkoceri i PDK-së: Nuk ka forcë që na ndalon që ta kundërshtojmë vendimin për Badovcin

Vendimi për këmbimin e pronës dhe ndërtimet në Badovc i kanë përplasur partnerët e koalicionit në kryeqytet, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Kjo e fundit, ani pse në qeverisje po e kundërshton këtë akt.

Me këtë rast ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, për shfuqimin e këtij vendimi.

A ka krisje të raporteve në mes të partnerëve të koalicionit?

Tensionet e krijuara mes dyja taboreve politike, mund të ndikojnë edhe në prishjen e bashkëqeverisjes në kryeqytet.

Për këtë shkak, Klankosova.tv e ka pyetur shefin e asambleistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri.

Ai tha se nuk ka forcë që do t’i ndalë ata që ta kundërshtojnë këtë të keqe.

“Ju e dini qëndrimin e PDK-së. Ne i kemi mbledhur nënshkrimet dhe nuk ka forcë që na pengon ta ndalim këtë të keqe. Pastaj çështje tjera i takojnë kryetarit të komunës”, tha ai për Klankosova.tv

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e Prishtinës Alban Zogajn, dhe Jeta Rafunën, shefe e asamblistëve të Lidhjes Demokratike në Prishtinë, por asnjëri nga ta nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të lajmit.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, e cila është opozitë në kryeqytet ka bërë të ditur se sot do të thërras seancë të jashtëzakonshme, e cila sipas tyre do të mbahet të enjten.