I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka njoftuar se kishte një javë të ngjeshur në Bruksel, me takime të shumta që në fokus kishin dialogun.
Lajçak pritet të vizitojë Prishtinën të martën më 30 janar, ndërkaq sot pritet të jetë për vizitë në Beograd.r
Lajçak pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve vendore, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka raportuar RTK.
Ndërkohë, bëhet e ditur se tashmë është konfirmuar mbajtja e takimit me zëvendëskryeministrin njëkohësisht kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.
Në një postim në Facebook, emisari i BE-së nuk ka dhënë detaje për këto vizita, por ka ndarë detaje nga takimet që zhvilloi javën e kaluar në Bruksel.
“Ka qenë javë e ngarkuar në Bruksel – nga përgatitjet e udhëtimit deri te takimet me bashkëbisedues nga rajoni, si me atë nga Fronti i Gjelbër-Majtas Serb si dhe me Ministrin e Jashtëm maqedonas Bujar Osmani dhe ata që merren me rajonin duke përfshirë eurodeputeten Viola von Cramon dhe të dërguarin norvegjez për Ballkanin perëndimor Haakon Blankenborg. Sigurisht që në diskutimet tona dominuan dialogu, si dhe zhvillimet e shumta rajonale dhe zgjedhjet e fundit në Serbi”., ka shkruar Lajçak.
Lajçak ka shtuar se krahas këtyre angazhimeve të punës, ka pasur një takim që e ka quajtur të këndshëm me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake Peter Pellegrini, i cili po vizitonte institucionet evropiane.
“Ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështjet kyçe të politikës së jashtme evropiane dhe peizazhin aktual të Brukselit”, ka shkruar diplomati evropian.