Kurt me ministra në vizitë ngushëlluese te familja e Lulzim Fejzullahut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputetë të Kuvendit, përfaqësues komunal dhe aktivistë, gjatë ditës së sotme qëndroi për vizitë ngushëlluese të familja e të riut Lulzim Fejzullahu që të shtunën vdiq nga goditjet e rënda që mori nga dy bashkëmoshatarë të tij me 14 janar të këtij viti në Podujevë.

Pasi shprehu ngushëllimet në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri tha se humbja e jetës së një të riu në mënyrë tragjike na ka tronditur të gjithëve dhe është dhembje e madhe jo vetëm për familjen e tij por edhe për mbarë vendin.

Të rinjtë te moshatarët e tyre duhet gjithmonë të shohim potencialin e shoqërisë dhe shoqërimit, asnjëherë të kërcënimit dhe sulmit. I ndjeri, Lulzim Fejzullahu ishte fëmijë jetim që ka pasur nevojë për mbështetje e kujdes nga të gjithë për një jetë të përmbushur. Sot, rasti i tij tragjik duhet të jetë moment reflektimi për të gjithë.

Vrasja mizore e Lulzim Fejzullahut duhet të jetë alarm për të gjithë, përfshirë institucionet, për të punuar më shumë me të rinjtë dhe të rejat, që të orientohen sa më shumë drejtë arsimimit dhe edukimit, në mënyrë që të mos e shohin dhunën si zgjidhje dhe që të qëndrojnë sa më larg sjelljeve agresive dhe akteve të dhunës që mund të përfundojnë me pasoja tragjike.

Kryeministri Kurti bëri thirrje që organet e sigurisë dhe drejtësisë ta trajtojnë këtë rast me përgjegjësinë më të lartë dhe bëri thirrje për drejtësi.