Shefi i Qendrës për Bashkëpunim Rajonal i Serbisë, Aleksandar Radovanoviq, ka bërë të ditur se Serbia ka pësuar dëme prej 150 milionë euro për shkak të ndalimit të eksportit në Kosovë.
Sipas Radovanoviqit, humbja 150 milionëshe, Serbisë i erdhi nga ndalimi i eksportit në Kosovë prej qershorit deri më 1 janar të këtij viti.
Në qershor 2022, vlera e mallrave të eksportuara nga Serbia ishte 40.7 milionë euro, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2023, vlera e eksportit ra në 16.7 milionë euro, një rënie prej 59 për qind.
Eksporti nga Serbia në korrik 2022 vlerësohej në 45 milionë euro, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2023 ishte vetëm 17 milionë euro, një rënie prej 62 për qind, shkruan N1, transmeton Klankosova.tv.
Në gusht të vitit 2022, mallrat e eksportuara nga Serbia në Kosovë kapnin vlerën e 45 milionë eurove, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2023 ishin 21 milionë euro, me një rënie prej 52 për qind.
Eksportet nga korriku deri në nëntor 2022 arritën në 177.5 milionë euro dhe në të njëjtën periudhë të vitit 2023 ishin 83.4 milionë euro, një rënie prej 53 për qind.