Thaçi: Kurti refuzoi takimin, i bëj thirrje të marr vendimet që i takojnë si kryeministër

Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për medie tha se kryeministri Albin Kurti përsëri e ka refuzuar takimin me të.

Thaçi tha se i kishte ofruar katër termine, por që sipas tij, Kurti nuk kishte shprehur vullnetin për ta takuar.

Ai foli edhe për refuzimin e së hënës, ku sipas tij, Kurti edhe pse e kishte konfirmuar, e kishte anuluar pesë minuta para se të fillonte.

“Fatkeqësisht, edhe pse, kryeministri Kurti dhe kryetari i LVV-së, kishte konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së hënës, 5 minuta para se të fillonte takimi, ka anuluar pjesëmarrjen në takim, por përsëri në shërbim të obligimeve kushtetuese ligjore dhe obligimit kombëtar, demokratik e qytetar, edhe dje e kam ftuar që ta takoj e të bisedojmë për zhvillimet e reja të cilat janë dramatike dhe shqetësuese për të gjithë qytetarët e vendit, më dramatiket në 20 vitet e fundit. Edhe sot kishte refuzim për tu takuar në 3-4 terminët e ofruar. Mendoj se do të ishte me interes që të gjithë të shpenzojmë energji për unitet dhe përafrim për hapat që duhet të marrim”, tha Thaçi, raporton Telegrafi.

Thaçi tha se Kosova nuk është pronë e një individi, duke shtuar se duhet të punojnë me qëndrime unike.

“Kosova nuk është pronë e një individi apo një grupi as shoqëror e as politik. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, është në për në përgjegjësinë e çdo lideri me përgjegjësi qytetare e parlamentare.  Në duhet të punojmë e të shkojmë përpara me qëndrime unike, e qëndrim unik është forcimi i shtetit brenda, zhvillimi ekonomik, rritja e mirëqenies sociale dhe ruajtja si sytë e ballit e partneritet strategjik me partnerët perëndimor, veçanërisht  me adresën e kontributit madhor për lirinë e pavarësinë e Kosovës me SHBA-të”, u shpreh Thaçi në konferencën për medie.

Ai përsëri tha se shpreson që Kurti të gjej kohë e të takohet me të, ashtu siç kanë bërë krerët e partive të tjera në vend.

“Mesazhi im sot, është se kryeministri duhet të merr vendimet që i takojnë me i marr, që janë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të orientimit euroatlantik dhe të mos vonohet në vendim-marrje që e qojnë vendin në drejtim të gabuar historik, por të kultivojmë e të ruajmë drejtimin e duhur e vendit dhe qytetarëve që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, u shpreh Thaçi. /Telegrafi/