Kosova është një ndër vendet me papunësinë më të madhe të grave, në rajon edhe më gjerë, duke pasur të punësuara sipas Bankës Botërore vetëm rreth 12.7 për qind të tyre. Sipas statistikave, në Kosovë burrat në krahasim me gratë kanë dyfishin e mundësisë për të gjetur punë.
Por, kjo gjendje nuk është e njëjta brenda dy kompanive më të mëdha në Kosovë KEDS dhe KESCO, të cilat kanë një numër të madh të grave të punësuara, edhe në pozita të larta drejtuese.
Naxhije Pajaziti-Arifaj, drejtoresha e Departamentit për Komunikime flet për pozitën e grave në këto kompani, sa është numri i të punësuarave dhe i atyre në pozita të larta drejtuese, dhe çfarë hapa tjerë do të ndërmerren brenda kompanive, për fuqizimin e grave.
Çka kanë bërë KEDS dhe KESCO deri tani për avancimin e pozitës së grave brenda Kompanisë?
Pajaziti-Arifaj: KEDS dhe KESCO janë kompanitë me numrin më të madh të grave të punësuara, përfshirë edhe gratë në pozita të larta drejtuese. Në KESCO, mbi 50 për qind e të punësuarave janë gra, përderisa udhëheqin të katër departamentet e kompanisë, derisa në KEDS jemi duke punuar në këtë drejtim që të kemi nivel të njëjtë të udhëheqjes si në KESCO. KEDS dhe KESCO janë kompanitë e para në Kosovë që kanë nënshkruar zotimin në 7 Parimet e UN Women, të cilat janë udhëzues që ndihmojnë kompanitë në fuqizimin e gruas në vendin e punës, në komunitet dhe tregun e punës, WEPS.
Çka është WEPS-i, kur dhe pse i keni nënshkruar parimet e tij?
Pajaziti-Arifaj: WEPS është nismë që përfshinë një seri parimesh që ofrojnë udhëzime për biznesin se si të promovojnë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në vendin e punës, tregun e punës dhe komunitet. WEPS është nismë e UN Global Compact dhe UN Women, e cila ka për qëllim informimin e kompanive/bizneseve për standardet ndërkombëtare të punës dhe të drejtat e njeriut, dhe që kompanitë të kujtojnë përgjegjësitë që kanë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Ne i kemi nënshkruar në nëntor të 2019, me qëllim të fuqizimit te gruas në kompanitë tona. Ky është vetëm një hap më tutje i kompanive në këtë drejtim, pasi që vet fakti që shumë departamente udhëhiqen nga gratë në KEDS dhe të gjitha departamentet në KESCO, do te thotë që ne e marrim si të mirëqenë barabarësinë, dhe punojmë edhe me shumë për ta fuqizuar këtë kauzë përmes parimeve të WEPS.
Çfarë kanë bërë KEDS dhe KESCO deri më tani në këtë drejtim, dhe çfarë plane keni në të ardhmen?
Pajaziti-Arifaj: Nënshkrimi i parimeve të WEPS-it nga KEDS është një indikator që kompania është e zotuar të ndikojë fuqishëm në krijimin e pozitës së barabartë të grave në shoqërinë kosovare. KEDS dhe KESCO kanë bërë edhe hapat e parë konkret në këtë drejtim duke hapur dhomë të posaçme për nënat dhe foshnjat brenda kompanisë, duke vendosur kutitë e raportimit në çdo distrikt. Gjithashtu, jemi ne themelim e sipër te Zyrës së posaçme për barazi gjinore si dhe organizmin e ligjëratave për punonjësit për barazi gjinore. Këto iniciativa besoj do të ndikojnë në krijimin e një ambienti më të mirë e të përshtatshëm për gratë.
Me 6 mars keni organizuar një ngjarje për shënimin e 8 marsit “Ditën ndërkombëtare të Gruas”, cili ishte qëllimi dhe çka u diskutua aty?
Pajaziti-Arifaj: Kjo ngjarje është organizuar nga KEDS dhe KESCO, në përkrahje për gratë te cilat janë pjesë e kompanisë, me qëllim të avancimit dhe promovimit të tyre, si vazhdimësi e projekteve në marrëveshje me UN për fuqizimin e grave në vendin e punës dhe komunitet, si dhe për ti njoftuar ato me 7 parimet e WEPS për të cilat janë zotuar KEDS dhe KESCO. Vetë prezenca e të gjitha grave të kompanisë dhe e grave më të suksesshme dhe me më ndikim në vend, është tregues i qartë i përkushtimit të KEDS-it dhe KESCO në përgjithësi dhe zotim i udhëheqësit të Kompanisë, Alper Ebras në veçanti, për forcimin e pozitës së gruas në vendin e punës.
Në këtë ngjarje u panë edhe dy nga gratë më të fuqishme të Kosovës, Kryeparlajmentarja Vjosa Osmani dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga. Çka do të thotë kjo?
Pajaziti-Arifaj: Po, është e vërtetë që këtë iniciativë e kanë përkrahur edhe dy nga gratë më me ndikim në vendin tonë, të cilat njëherit janë aktivistet më të mëdha për drejtësi, barazi dhe fuqizimin e gruas në shoqërinë tonë, Kryeparlamentarja Osmani dhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ato dhanë mesazhe të fuqishme për gratë kosovare, duke i porositur ato të guxojnë dhe asnjëherë mos të ndalen për realizimin e të drejtave të tyre. Osmani dhe Jahjaga shpalosën edhe përvojat dhe aktivitetin e tyre si aktivitete për barazinë gjinore, duke i inkurajuar gratë të trasojnë rrugën e vet përpara drejt barazisë dhe fuqizimit të tyre. Prezente ne ceremoni ishte edhe drejtoresha e UN Woman Kosovo. Ajo përveç që na përgëzoi që kemi nënshkruar këto parime, u zotua që do te na ndihmoj me udhëzime për implementimin e tyre.
Cili është mesazhi juaj?
Pajaziti-Arifaj: WEPS është nismë që duhet bashkangjitur edhe kompanitë tjera, dhe ti realizojnë këto parime, nëpërmjet të cilave do të fuqizohej pozita e gruas në vendin tonë, ashtu siç tha edhe Erbas, Drejtor Gjeneral i KEDS-it, “duke fuqizuar gratë, fuqizojmë të ardhmen!”.