Shoqata e Gastronomëve deklarohet rreth rritjes së çmimit të kafeve në Prishtinë

Nënkryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Veton Zuka, ka bërë me dije se nuk është diskutuar rritja e çmimit të kafeve në Prishtinë, në shumën prej 20-30 centësh.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se sot ka dëgjuar që ka rritje të çmimit të kafeve tek lokalet e “Llesnës” në Prishtinë, por sipas tij, zyrtarisht nuk kanë ndonjë njoftim për rritjen e këtyre çmimeve.

“Sot kam dëgjuar që ka rritje të çmimit të kafeve tek lokalet e ‘Llesnës’, porse në shoqatë kjo nuk është diskutuar. Mund të ndodh që kjo është diskutuar nga pronarët e lokaleve në atë pjesë, pra mund të ketë koordinim. Mirëpo, nëse kjo ndodh ne distancohemi nga ta. Deri më tani për asnjë pjesë të Prishtinës nuk është diskutuar apo shqyrtuar mundësia e rritjes së çmimit për kafes”, ka thënë Zuka.