Qeveria e Kosovës duhet të mobilizohet në mënyrë që të rrisë sasinë e rezervave shtetërore, të cilat janë të nevojshme në rast të paraqitjes së rasteve të personave me koronavirusin e ri, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Përveç vendeve të Evropës, disa nga vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, tashmë kanë konfirmuar rastet të para të infeksimeve nga koronavirusi i ri. Në Kosovë, deri më tani ka pasur dhjetëra raste të dyshuara me këtë virus, por asnjëri prej tyre nuk ka dalë pozitiv.
Ndryshe, Republika e Kosovës që nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore. “Por, sasia e tyre, konsiderohet e pamjaftueshme për nevojat e popullatës, në rast të shpërthimit të një epidemie eventuale nga virusi i ri”, thotë Musa Limani, profesor i ekonomisë.
“E di se nuk ka rezerva të mjaftueshme, prandaj qeveria aktuale duhet të korrigjojë qeverinë e mëparshme dhe të blejë, përkatësisht të sigurojë rezerva të nevojshme, jo vetëm për dhjetë ditë, por për muaj apo një vit, për shkak të evitimit të përhapjes së koronavirusit. Për këtë qeveria është e obliguar në mënyrë ligjore”, thotë Limani.
“Në rast se vjen deri tek izolimi i një numri më të madh të qytetarëve, qeveria është e obliguar që të furnizojë me të mira materiale, të nevojshme për ekzistencë, siç janë, mielli, sheqeri, kripa, vaji e gjëra të tjera”, thotë ai.
Në Kosovë në vitin 2010 është miratuar Ligji për rezervat shtetërore, sipas të cilit, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.
Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit strategjik afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se bazuar në Planin strategjik 2019-2021,buxheti është i konsiderueshëm, sipas planifikimit të programit vjetor.
“Plani strategjik dhe programi vjetor si dhe vendndodhje e rezervave shtetërore të mallrave, me Ligjin për rezerva shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror. Konsiderojmë se në rast të kërkesës për ndonjë intervenim të mundshëm emergjent Departamenti i rezerva shtetërore të mallrave do t’i dalë në ndihmë gjithë popullatës të asaj zone ku kërkohet intervenimi. Rezerva shtetërore ka: mallra agro-ushqimore, grurë, naftë, barna esenciale etj”, thuhet në përgjigje.
“Departamenti vazhdimisht është duke e rritur stokun me produkte të rezervës shtetërore si në sasi ashtu edhe në lloje të produkteve, ndërsa sa i përket nevojave për rritje ato janë të mirëseardhura”, theksohet në përgjigjen nga Zyra për informim e kësaj ministrie.
Në bazë të Planin strategjik afatmesëm dhe programit vjetor të rezervave shtetërore të mallrave për vitet 2016 – 2018, rezervat shtetërore të parapara ishin kryesisht produkte ushqimore. Në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas atij plani, sigurimi i grurit (nga i cili përfitohet mielli) do të bëhej për 20 ditë për gjithë popullatën, i sheqerit për 15 ditë për 20 mijë banorë, kurse nafta dhe derivatet e saj ishin në sasinë e rezervuara për tri ditë të importit të përgjithshëm vjetor.
Ndërkaq, artikujt tjerë joushqimor, në atë kohë, ishin të planifikuar për nevojat e 20 mijë banorëve. Sipas këtij plani, lista e produkteve të rezervave shtetërore përmbante gjithsejtë 51 produkte, nga të cilat 14 ishin agro-ushqimore dhe 37 produkte joushqimore, kryesisht sanitare.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se rritja e sasisë së rezervave shtetërore, duhet të jetë një ndër masat e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
“Sidomos për artikuj bazikë për të cilët mund rritet nevoja. Këtë e kemi parë edhe në vende tjera. Është çështje ditësh, kur pritet të ballafaqohemi me rastet e para me koronavirus në Kosovë. Shpërthimi i virusit në Evropë, ka nxitur ndërmarrje të masave drastike, në shumicën e vendeve evropiane, përfshirë edhe mundësitë e mbylljes së kufijve, kurse Kosova ka varësi të madhe nga importe. Në rast të çfarëdo paniku në nivel lokal apo më gjerë, Kosova ka rezerva të miellit të cilat mund të zbrazen, brenda një periudhe të shkurtë kohore”, ka shkruar Rukiqi.
Kurse profesori Musa Limani thekson se duke parë masat mbrojtëse në shtetet tjera të Evropës dhe rajonit edhe për mundësinë e futjes në karantinë të personave, Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të jetë e gatshme për këtë çështje.
“Qeveria duhet të marrë përgjegjësi nëse vjen deri te vendosja në karantinë e një numri të caktuar të popullatës dhe nuk mund t’iu përgjigjet me rezerva të nevojshme për ekzistencë”, thekson ai.
Për këtë vit ende nuk është bërë publike sa mjete janë ndarë për rezerva shtetërore, pasi projektligji për buxhet për vitin 2020, i cili parashihet të jetë mbi 2.3 miliardë euro, të martën është miratuar nga Qeveria e Kosovës, por ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës./Rel/