Rrjeti social Twitter ka fshehur një postim të presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se shkel rregullat pasi “madhëron dhunën”.
Postimi nuk është fshirë, por është mbuluar me një paralajmërim dhe mund të shihet duke klikuar mbi të.
Paralajmërimi thotë se “Twitter ka përcaktuar se mund të jetë në interes të publikut që postimi të mbetet i dukshëm”.
Në postimin e tij presidenti tha se ai do të “dërgojë Gardën Kombëtare në Mineapolis”, dhe e pasoi atë me një paralajmërim se “kur të fillojë plaçkitja, të shtënat fillojnë”.
Qyteti i Mineapolisit në SHBA është përfshirë nga protestat e dhunshme, pas vdekjes së një personi me ngjyrë, derisa po arrestohej nga policia.
Masa e Twitter bëhet disa orë pasi presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkon të heqë imunitetin ligjor ndaj rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook për përmbajtjen që ato shpërndajnë.
Trump ka akuzuar rregullisht platformat e mediave sociale për shtypjen ose censurimin e zërave konservatorë.
Ai e ka akuzuar Twitterin për ndërhyrje në zgjedhje, pasi më 27 maj, ky rrjet social, për herë të parë, i etiketoi dy postime të presidentit amerikan, Donald Trump, si “të pabaza” dhe tha se ai po përhap pretendime të rreme.