Konjufca: Është gabim që Gjykata Kushtetuese të konsiderohet instancë mbretërore

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Glauk Konjufa e ka përkufizuar betejën mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti si “betejë e popullit për ndryshim në Kosovë”.

“Mendoj që beteja mes Albin Kurttit dhe Hashim Thaçit është betejë e popullit të Kosovës për të sjellë ndryshim në Kosovë dhe kjo është betejë shumë e gjatë – që 20 vjet po ndodh. Ndryshimi duhet të ndodhë në drejtësi, anti-korrupsion dhe në ato që ne i kemi përfaqësuar si ide elektorale”.

“Tash presidenti [Hashim] Thaçi ka ndërhyrë në këtë proces, sepse po do që të krijojë një qeveri sipas modelit të tij. Unë mendoj që ai ka kaluar jashtë Kushtetutës”.

“Presidenti po më pengon edhe mua në punë. Unë si ministër e kam për kompetencë për nevoja të Ministrisë së Punëve të Jashtme të kthejë disa njerëz që unë mendoj se duhet të kthehen, derisa presidenti ka dalë dhe ka thënë ‘jo, nuk mund t’i kthesh’. E ushtron të drejtën e vetos të cilën nuk e ka”.

Ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova ka thënë se presidenti shkon përtej mandatit që ka, derisa ka bërë një krahasim edhe me ish-presidenten Atifete Jahjaga.

“Në çdo aspekt presidenti është i tillë. Presidente ka qenë edhe Atifete Jahjaga, por ajo për çdo çështje që frikësohej se mund ta shkelte Kushtetutën i shkruante Gjykatës Kushtetuese. Ky [Hashim Thaçi] nuk përton fare që të shkojë përtej mandatit që e ka, dhe mendoj se ky është problem i Kosovës”.

“Po bëhet e qartë që bashkëjetesa mes Republikës, demokracisë dhe Hashim Thaçit tashmë është e pamundshme”.

Ai ka thënë se situata që ishte me LAN-in, përkatësisht VLAN-in më vonë, nuk është e njëjtë me situatën e krijuar tani në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit.

“Ne e kemi pranuar vendimin në vitin 2014 dhe kemi hyrë në Kuvend me atë vendim. Ai vendim nuk i përzien dy situatat. Situata nuk është menjëherë pas zgjedhjeve”.

Konjufca ka deklaruar se është gabim që “Gjykata Kushtetutese të konsiderohet instancë mbretërore”.

“Në sistemin tonë parlamentar p.sh të thuhet se Gjykata Kushtetuese mund ta shkruajë Kushtetutën është gabim. Gjykata Kushtetuese mund t’ia kufizojë kohën Vetëvendosjes dhe unë nuk e përjashtoj edhe atë vendim. Ne jemi qenie njerëzore dhe veprojmë në një sistem politik demokratik ku presupozohet që njeriu mund ta shkelë ligjin – ky është mësim elementar në teorinë politike”.

“A ka mundësi teorike dhe logjike një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ta shkelë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese? A duhet të pranohet ai vendim? Ky është gabimi kur njeriu e konsideron instancë absolute. Unë nuk po e kuptoj qysh munde t’i kontribuosh shtetndërtimit dhe demokracisë duke e respektuar një vendim që e shkatërron demokracinë – është paradoksale dhe kontradiktore”.