Më së largu deri të premten, Gjykata Kushtetuese pritet të interpretojë ligjshmërinë e dekretit të Presidentit Hashim Thaçi rreth mandatarit për formimin e Qeverisë së re.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu ka folur për klankosova.tv lidhur me mundësinë që Kushtetuesja ka për ta vazhduar masën e përkohshme për këtë çështje.
”Nëse Gjykata Kushtetuese për këto një muaj ditë, nuk ka mundur ta analizojë e përpunojë gjithë materialin në dispozicion, mund ta vazhdojë afatin e masës së përkohshme”.
Baraliu shton më tej se kjo gjykatë ka dy alternativa rreth vendimit për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin, njofton Klan Kosova.
”Janë dy alternativa vendimmarrëse: njëra është ta shpall dekretin në shpërputhje me Kushtetutën dhe tjetra është e kundërta, pra – t’i trajtojë veprimet e presidentit si valide në relacion me kushtetushmerinë e mandatimit”.
Çka nëse Gjykata Kushtetuese vendos ta rrëzojë dekretin e Presidentit Thaçi?
”Nëse bie dekreti i presidentit, në Gjykatë hapet mundësia e dorëheqjes së tij si akt moral, por jo si obligim kushtetues”, thotë profesor Baraliu.
”Kjo sepse Kushtetuta nuk e ka paraparë dorëheqjen e Presidentit si kategori kushtetuese”.
Ai tregon se kur dhe si palët e pakënaqura kanë të drejtë ta kërkojnë shkarkimin e presidentit në këtë rast.
”Shkarkimin e presidentit, nëse dekreti konsiderohet shkelje e rëndë kushtetuese, mund ta kërkojnë palët e pakënaqura”.
Por paraprakisht ai thotë se me këtë shkelje merret qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese, njofton Klan Kosova.
”Mirëpo për këtë shkelje eventuale së pari merret qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese, se kishte ose jo shkelje e pastaj ne Kuvend mund të kërkohet shkarkimi i presidentit”.