Qeveria e Kosovës ka thënë se e mirëpret kërkesën që Gjermania dhe Franca kanë bërë për rifillimin e menjëhershëm të dialogut Kosovë-Serbi, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.
Në një opinion të botuar ekskluzivisht në KOHA, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, dhe ai gjerman, Heiko Maas, kanë thënë se janë të vendosur që të zgjidhin të gjitha pengesat e mbetura mes Serbisë e Kosovës. Ata kanë kërkuar rifillimin e menjëhershëm të dialogut e për këtë Qeveria e Kosovës ka thënë se tashmë ka bërë veprimin e parë në këtë aspekt.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KOHËN se me heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe është veprimi i parë drejt rifillimit të dialogut me Serbinë.
“Ne kemi treguar gatishmërinë për të udhëhequr me dialogun, kurdo që ai fillon. Madje, që nga muaji mars i këtij viti ne kemi propozuar edhe modelin e përfaqësimit në këtë proces, duke paraparë dy ekipe të dialogut; njërin politik-përfaqësues kurse tjetrin këshillues-profesional, qëllimi të cilëve është që të kemi një përfaqësim sa më gjithëpërfshirës edhe politik por edhe profesional e akademik. Ne tashmë kemi bërë veprimin e parë drejt rifillimit të dialogut me rastin e heqjes se tarifës 100% dhe vendosjen e reciprocitetit, veprim ky i cili vlerësohet në deklaratën e përbashkët. Qeveria e Republikë së Kosovë mirëpret dhe vlerëson faktin që këto dy shtete kërkojnë nga Serbia që të dëshmojë vullnetin e saj për rifillim të dialogut duke ndalë fushatën për çnjohje dhe duke hequr barrierat jo tarifore”, ka thënë ai.
Sipas tij, dialogu duhet të mos ketë si rezultat një marrëveshje të shpejtë, por duhet të jetë i përgatitur mirë.
“Për ne, rifillimi i dialogu është proces drejt marrëveshjes dhe jo akt për marrëveshje. Prandaj edhe insistojmë që dialogu duhet të jetë dialog i përgatitur mirë dhe me parim dhe se si rezultat nuk mund të ketë zgjidhje apo marrëveshje të shpejtë. Për këtë arsye mirëpresim letrën e përbashkët të Ministrive të Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës, e cila po ashtu njeh nevojën për një dialog të përgatitur mirë i cili i jep rëndësi procesit aq sa edhe marrëveshjes në fund”, ka përfunduar Kryeziu.