Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se deri më tash askush në vend nuk është i prekur nga koronavirusi, është bërë e ditur përmes një komunikate të hënën mbrëma.
Sipas IKSHPK-së, të hënën, janë analizuar pesë mostra të reja dhe të gjitha kanë rezultuar negavtive.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë ditës së sotme, më 09 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për pesë raste të dyshimta në Covid-19. Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostra për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2. Më 09.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar pesë pacientë në virusin SARS-CoV-2 dhe kanë rezultuar negativ, domethënë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2”, shpjegoi ky institut.
Nga 8 shkurti janë analizuar 62 mostra në lidhje me koronavirus dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
Kosova së bashku me Malin e Zi, janë vendet e vetme në rajon dhe të paktat në Evropë, që nuk janë prekur nga ky virus.