Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në dy vendime të ndara, më 15 janar 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka vendosur edhe për afatin se kur ZPS-ja duhet t’i dorëzojë parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës për masën e paraburgimit për dy të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për të dy afati i radhës për t’i paraqitur parashtrimet për shqyrtimin e radhës të paraburgimit është jo më vonë se 23 shkurt.
Sa i përket Krasniqit, ZPS-ja kishte parashtruar se paraburgimi i tij mbetet proporcional.
“ZPS-ja-ja argumenton se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i z. Krasniqi mbetet proporcional. Për këtë qëllim, ZPS i referohet gjetjeve të mëparshme të Panelit se: (i) z. Krasniqi akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se luan një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten mjaftueshëm me zbatimin e masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve siç është përshkruar më sipër; dhe (vi) progresi vazhdon të bëhet në këtë rast”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin.
Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit kishte argumentuar se vazhdimi i paraburgimit për të mbrojturin e saj është joproporcional.
“Mbrojtja e Krasniqit argumenton se vazhdimi i paraburgimit i z. Krasniqi është joproporcional. Ajo pohon, në veçanti, se duke gjykuar nga numri i dëshmitarëve të ZPS-së të dëgjuar deri më tani dhe numri i dëshmitarëve të mbetur të cilët ZPS-ja synon t’i thërrasë, ka shumë të ngjarë që përfundimi i çështjes së Prokurorisë do të shtrihet përtej datës së synuar të prillit 2025. Për më tepër, pohon se kohët e fundit, modifikimi i kushteve në objektet e paraburgimit tashmë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të drejtat e z. Krasniqi dhe se mohimi i të drejtave të z. Krasniqi, duke përfshirë vizitat për të cilat ai ka të drejtë ligjore, përbën një argument bindës në favor të lirimit të tij të menjëhershëm”, thuhet në vendim.
Në lidhje me parashtrimet e mbrojtjes së Krasniqit, e cila ka pretenduar se ka përparim të ngadaltë ëtë gjykimit, përmes këtij vendimi trupi gjykues ia rikujtoi mbrojtjes se vonesat i atribuohen këtyre të fundit dhe ZP Kështu, trupi gjykues konstatoi se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj për Krasniqin është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.
Ndërsa për Selimin, ZPS-ja kishte parashtruar se nuk ka asnjë masë alternative që mund të zbuste mjaftueshëm rreziqet për mbarëvajtjen e procedurës gjyqësore, duke theksuar se sjellja e të akuzuarit paraqet rrezik më të lartë së kurrë.
Ashtu si për Krasniqin, trupi gjykues ka konsideruar se vazhdimi i paraburgimit për Selimin është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/