Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, si dhe ai i Nismës Fatmir Limaj, pritet të arrijnë një koalicion parazgjedhor përgjatë ditës në nivel qëndror.
Insajderi merr vesh nga burime të saj brenda këtyre dy partive se koalicioni pritet të zyrtarizohet sot dhe do të emërtohet “Fronti i përbashkët për shtetin”.
AAK dhe Nisma ishin në koalicion bashkë në vitin 2017-2019 dhe në bashkëqeverisje edhe para disa viteve.
Në atë kohë, Haradinaj ishte kryeministër ndërkaq Limaj ishte numri dy në kabinetin e tij.
Nisma pas 2019-ës ishte në koalicion me AKR-në dhe nuk arriti ta kalojë pragun, duke mbetur jashtë Kuvendit.
Nisma nuk ka asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën aktuale.
Para pak ditësh, Limaj e ka komentuar punën e Qeverisë Haradinaj 1 dhe 2. Limaj tha se Qeverisja e fundit e Haradinajt karakterizohet me promovimin e prodhimeve vendore.
“Mandati i parë i Qeverisë Haradinaj nuk mund të llogaritet pasi që ka qenë në një periudhë të shkurtë 2-3 mujore, pas aktakuzës në Hagë. Mandati i dytë ka qenë më një shumicë të vogël të qeverisë. Veçohet për promovimin e prodhimit vendor, në veçanti industrinë e drurit dhe prodhimtarinë bujqësore”, tha ai.
Partitë opozitare e kanë quajtur vitin 2024 si “vit zgjedhor”, ndërkaq vetë PDK-ja ka kërkuar në vazhdimësi zgjedhje parlamentare.