Në qershor të vitit të kaluar, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se njëanshëm ka anuluar mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri e planifikuar të mbahet në Gjakovë. Derisa në Kosovë u bënë edhe përgatitjet e fundit, Rama e njoftoi homologun e tij Albin Kurti një ditë më herët për vendimin e tij, të cilin tha se e kishte marrë “në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike” për shkak të tensioneve në veri të vendit. Që nga kjo kohë mbledhjet, që u bënë të zakonshme, janë ‘pezulluar’.
Në vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë, ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, tha se me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, kanë folur për zbatimin e marrëveshjeve që u nënshkruan pa mbledhje të përbashkët, por nuk përmendi takim të ardhshëm.
“Me Donikën po ashtu diskutuam për zbatimin e detyrimeve që lindin nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, por edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm për lehtësimin e lëvizjeve të qytetarëve dhe mallrave”, tha ai në një konferencë të përbashkët me Gërvallën.
Kosova dhe Shqipëria kishin nënshkruar në korrik 13 marrëveshjet e dy qeverive që duhej të ishin firmosur më 14 qershor.
Në turin që ndërmori kryeministri Rama në vendet e Ballkanit Perëndimor për samitin e Procesit të Berlinit që mbajt në Tiranë, Kurti kishte refuzuar ta takojë duke e kushtëzuar takimin me mbledhje të përbashkët të qeverive. Ai kishte thënë se për të është e arsyeshme “një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo edhe takime të tjera”.
Kurti e kishte propozuar këtë mbledhje për t’u nënshkruar marrëveshjet “që janë të dakorduara e që janë në sirtarë dhe në këtë mënyrë t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”. Një ditë më pas, Rama kishte thënë se ia kishte hequr merakun Kurtin dhe se marrëveshjet ishin nënshkruar.
“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet”, kishte thënë Rama.
Çka tha Hasani në Prishtinë?
Kryediplomati shqiptar tha se siguria dhe stabiliteti i rajonit është më i kërcënuar se kurrë më parë. Këtu ai përmendi sulmin terrorist të Banjskës vitin e kaluar dhe tha se autorët, organizatorët dhe nxitësit duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë, duke shtuar se kjo është domosdoshmëri për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë.
“Rajoni është duke kaluar një moment delikat, që pavarësisht progresit, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Europën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”.
Ministri Hasani tha se shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen e përbashkët dhe shtoi se “padyshim Kosova e Serbia duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekjes – dy vende e një popull që më shumë se kushdo tjetër e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.
Pas Kosovës, Hasani tha se do të shkojë në vizita zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Malin e Zi.
“Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve dhe mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë së bashku për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tonë”.