Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare duhet të dalë pa vonesë me qëndrim mbi sulmin serb në Banjskë, duke shtuar se agresori duhet të sanksionet.
Pas takimit me homologun e Shqipërisë, Igli Hasani, ajo ka deklaruar në një konferencë për media të martën se mungesa e ndëshkimit “bart në vete rrezikun e përsëritjes së sulmit”.
“E njoftova Iglin për situatën në veri, ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur atje, aktin e agresionit të hapur serb, duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare pa vonesë të dalë me qëndrim të qartë të asaj që ka ndodhur në Banjskë dhe të sanksionojë agresorin. Mungesa e ndëshkimit bart në vete rrezikun e përsëritjes”, është shprehur Gërvalla.
Ajo ka theksuar se për hir të paqes, bashkësia ndërkombëtare të mos mbetet e heshtur, “por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë destabilizuese”.
Ministrja e Jashtme ka theksuar se sulmi i së hënës pranë një hoteli në veri të vendit dëshmon se gjendja e sigurisë “mbetet sfidë”.
“Të jemi vigjilentë sepse krimi i organizuar me strukturat e ardhura nga Serbia, edhe gjatë vitit 2024 do të vazhdojnë të përpiqen të destabilizojnë situatën”.
“U angazhuam me Iglin që bashkërisht të angazhohemi në informimin dhe sensibilizimin e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut rreth arrestimeve të qytetarëve të Kosovës nga Serbia gjatë kohës kur kalojnë për t’u kthyer në vendet ku banojnë, e njëkohësisht lobimin për lirimin sa më të shpejtë të tyre. Me pozicionin gjithnjë e më të fuqishme në arenën ndërkombëtare, e brenda organizatave ndërkombëtare. Republika e Shqipërisë do të luajë rol më proaktivë në t ë gjitha temat e sigurisë dhe të paqes në rajonin tonë”, ka shtuar ajo para gazetarëve.