Ministria e Jashtme e Spanjës tha të hënën se qytetarët kosovarë do të hasnin në telashe ta vizitonin ligjërisht atë dhe vendet e tjera të zonës Schengen që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sikur ato të mos pajtoheshin për ta njohur pasaportën e zakonshme kosovare.
“Të gjitha shtetet e [Zonës] Schengen që nuk e njohin [Kosovën] e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha për REL-in Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme spanjolle.
Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
Por, vetëm më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.
Cortezon theksoi për REL-in se Spanja e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë, “si një mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kërkon ta kufizojë ndikimin e saj tek qytetarët”.
Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.
Vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës e kanë përshëndetur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.