Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik se tashmë ka marrë hapa drejt ndryshimit të Rregullores së vet, e cila ua ndalon klientëve shkëputjen e kontratave me operatorët kabllorë.
Sipas tyre, ARKEP-i nuk është institucioni kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve, mirëpo siç thonë ata, pasi kontratat mes operatorëve kabllorë dhe klientëve mbështeten në Rregulloren e ARKEP-it, atëherë ata e kanë parë të arsyeshme të veprojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Në këtë drejtim, duke qenë të vetëdijshëm për faktet e referuara më lartë dhe marrë për bazë numrin e ankesave gjithnjë e në rritje të konsumatorëve, ARKEP e ka konsideruar të nevojshme që të adresohet edhe kjo çështje dhe vendosen dispozita të caktuara, të cilat përfshijnë të drejtën e konsumatorëve për ndërprerjen e kontratave të kombinuara për secilin element të saj, duke përfshirë kanalet televizive”, thuhet në përgjigjet e ARKEP-it për Buletinin Ekonomik.
Për më tepër, ata thonë se “duke pasur parasysh kompetencat e ARKEP në këtë çështje dhe me qëllim të adresimit sa më të shpejtë të saj, para disa ditësh është realizuar takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Institucion ky përgjegjës për shërbimet audio-vizuele, ku ndër temat e diskutuara ka qenë edhe kontratat e konsumatorëve me ofruesit e shërbimeve televizive. Prandaj, ju informojmë se ARKEP nuk është kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve”, shpjegojnë tutje ata.
Rregullorja që e përmend vet ARKEP-i, aktualisht iu jep të drejtë operatorëve kabllor, në çështjen e pamundësisë së shkëputjes së kontratave me konsumatorët para kohe.
Sipas kësaj Rregulloreje, konsumatorët mund të shkëpusin kontratat me operatorët vetëm pas nëntë (9) muajve të parë prej datës kur është nënshkruar kontrata mes palëve, dhe kurrsesi para kësaj periudhe.
Pra, vetëm pas kalimit të nëntë muajve të parë të marrëveshjes, konsumatorët janë të lirë t’i shkëpusin kontratat pa u ndëshkuar nga operatorët, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkaq, në rastet kur kontrata kërkohet të shkëputet para 9 muajve të parë, atëherë në bazë të rregullores së ARKEP-it, operatorët kabllorë gëzojnë të drejtën e kërkimit të kompensimit të dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës.
Kjo e drejtë iu jepet atyre përmes nenit 5, pikës 5.7 të “Rregullores për Kontratat, Transparencën dhe Publikimin e Informatave dhe Masave Tjera Mbrojtëse Për Përdoruesit Fundorë për Ofrimin e Rrjeteve dhe Shërbimeve Publike të Komunikimeve Elektronike” të ARKEP-it, në të cilën thuhet se:
“5.7 -Ndërmarrësi mund të kërkoj kompensimin e dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të parë”.
Mirëpo, edhe ky ndëshkim apo kompensim i dëmit nuk mundet kurrsesi të tejkalojë tarifën e parapagimit mujor për periudhën prej nëntë (9) muajve pas hyrjes në fuqi të kontratës, me përjashtim të rasteve kur përdoruesit fundor i ofrohen pajisje fundore, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 9 të Rregullores.
Por, në anën tjetër, sipas kësaj rregulloreje, konsumatorët e secilit rrjet të shërbimeve kabllore kanë të drejtën e plotë t’i shkëpusin kontratat me ta pa u ndëshkuar, nëse operatori e paralajmëron paraprakisht klientin rreth modifikimit të kushteve të kontratës jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.
Mirëpo, në rastin e fundit, operatorët ArtMotion dhe Kujtesa, nuk i kanë paralajmëruar fare klientët e tyre për modifikimet e bëra në platformat e tyre dhe as që kanë pyetur fare për pëlqimin apo jo të tyre.
E Rregullorja e ARKEP-it tregon qartë se në rast të mospajtimit me ndryshimin e kushteve nga operatori, parapaguesi, pra konsumatori, ka të drejtë që pa asnjë pasojë ta shkëpusë kontratën në fjalë, edhe pse është para kohe.
Në nenin 5, pikat 5.1, 5.2, 5.3 të kësaj rregulloreje të ARKEP-it përkufizohet kështu:
5.3 Në rast të rritjes së tarifës, parapaguesi ka të drejtë të shkëpus kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve.”
Pra, të gjitha nenet në kontratat e nënhkruara nga klientët e Kujtesës dhe ArtMotion bazohen në Rregulloren e ARKEP-it, ndërsa këta të fundit thonë se përgjegjëse për përmbajtjet e transmetuara në televizione dhe ndryshimin e shërbimeve, është Komisioni i Pavarur për Media (KPM). /Buletini Ekonomik/