Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka thënë se do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi ndaj operatorëve kabllorë, pas ankesave të më shumë se 100 qytetarëve në pak ditë.
Qytetarët janë ankuar së fundmi ndaj operatorëve kabllorë në vend për shkak të ndryshimit të listës së kanaleve televizive, pa ndonjë paralajmërim.
Kjo ministri ka thënë se po i përcjell me shqetësim ankesat e qytetarëve ndaj disa operatorëve ekonomikë.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e njofton opinionin publik se është duke i përcjellë me shqetësim ankesat e shumta të qytetarëve ndaj disa operatorëve kabllorë në Republikën e Kosovës, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve. Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT, vetëm gjatë ditëve të fundit, ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i siguron qytetarët se brenda afateve ligjore, përmes institucioneve përgjegjëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjeve përkatëse në fuqi”, thuhet në reagim.