Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovës. E për çdo ankesë të qytetarëve, Kurti ka thënë se adresat e vetme janë KESCO dhe ZRRE-ja.
Sipas Kurtit, kur ka konsum më të lartë të energjisë elektrike “natyrisht se ka edhe faturë më të lartë”.
“Nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”, është shprehur Kurti pas vizitës në “Lagjen 29” në Fushë-Kosovë, ku u bë përurimi i fillimit të punëve për rregullimi e rrjetit të ujësjellësit për këtë komunë.
“Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçiente për amvisëri edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se kush ka dyshime për fatura të fryra duhet të ankohet në KESCO dhe ZRRE.
“Nëse ka konsum më të lartë vjen fatura më e lartë dhe natyrisht se ju e dini që ata që kanë kursyer i keni shpërblyer dhe tash kanë pajisje efiçiente me mijëra familje, andaj kush ka dyshime se ju ka fry fatura, KESCO dhe ZRRE është adresa”, ka deklaruar Kurti. /EO/