Investimet në sektorin privat në Kosovë kanë shënuar rënie përgjatë vitit 2023. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e tretë të këtij viti investimet private kanë rënë rreth 20%.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, vlerëson se mungesa e investimeve në këtë sektor, ka ndikuar negativisht në biznese, të cilat aktualisht, sipas tij, janë në një gjendje shumë të rënduar.
“Ecuria e investime ka filluar të ketë një rënie edhe në vitin 2023 duke shikuar edhe 3 mujorin e parë edhe të dytin e të tretin. Tani më duke parë tre mujorin e tretë te ASK kemi rreth 20% ramje të investimeve private në Kosovë…gjendja e bizneseve është shumë e keqe, shumë biznese janë duke luftuar për mbijetesë e lëre më zhvillimin ekonomik”, tha Dreshaj për RTV21.
Përkundër deklaratave të vazhdueshme të qeverisë për rritje ekonomike, njohës të ekonomisë vlerësojnë se ekonomia e vendit ka stagnuar.
Ish-ministri i Financave Haki Shatri, thotë se mungesa e investime, shumë biznese dhe kompani prodhuese po i çon drejt falimentimit.
“Sipas të dhanave këtu i kemi në vitin 2023 parashihet vetëm 11 milionë më shumë se në vitin 2022 për investime, që do të thotë dikund janë rreth 2 miliardë investime që marrë parasysh me normën e indeksit të çmimeve dhe të inflacionit realisht i bjen rënie të vlerës së investimeve, kjo pastaj pasqyrohet edhe në investime të përgjithshme ekonomike”, tha Shatri.
Ndërkaq, ekonomisti Milazim Abazi, sqaron faktorët që kanë ndikuar në rënien e investimeve.
“Kanë rënë investimet private në Kosovë dhe kjo për shkak të ngopjes së tregut në palujtshëmri. Ka filluar tregu të ngopet dhe meqënëse palujtshmëria ka dikun 60% të investimeve private në Kosovë, kjo ka ndikuar në rënien totale të investimeve private dikun për 19 deri në 20%. Arsyeja pse ka filluar të bien investimet në palujtshmëri është në rend të parë ngopja e tregut, dhe faktor tjetër mujd të jetë frika e investitorëve që një pjesë e blerësve do të ikin në Perëndim pas liberalizimit dhe nuk paraqesin potencial për të blerë paluejtshmëri”, tha Abazi.
Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, sivjet dhjetëra kompani të mëdha në Kosovë e kanë orientuar veprimtarinë e tyre në shtetet fqinje si Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, duke bërë kështu që Kosova të humbë me miliona euro nga këto investime.