Haradinaj rrëfen në detaje për dështimin e takimit me Presidenten Osmani: ‘M’u duk pak ofendim’


Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal10, për herë të parë ka sqaruar në detaje pse dështoi takimi i së hënës ndërmjet tij dhe Presidentes Osmani.

Haradinaj thotë se është ndjerë i ofenduar ditën e takimit, kur stafi i Presidentes i thanë të presë.

Ai më tej ka treguar në detaje si ndodhi ngjarje deri të deshtimi i takimit.

“Zyra e Presidentes ka kërkuar takim në bazë të procedurave disa ditë më herët, pra të enjten për të hënën dhe ka propozuar për orën 12. Ne e kemi aprovuar këtë kërkesë duke mos ndryshuar as datën, e as orën, as vendin, kështu duke mos ndërhy në asnjë detaj të kërkesës. Po ashtu në kohë pra në orën 12 kemi mbërri te zyra e Presidentes dhe aty na është propozuar nga protokolli i Presidentes që të zëmë vend diku para zyrës, sepse presidentja po e vazhdon takimin me kryetarin Abdixhiku. Meqenëse ftesa ishte e Presidentes, propozimi për orën ishte i saj dhe çdo gjë tjetër ne e kishim konfirmuar propozimin e saj, atëherë vlerësuam se të shohim një ditë tjetër, pra kurdo që lirohet Presidentja me u takua”, kk thënë Haradinaj.

Sipas tij, një pritje tillë ishte ofendim për të.

“…me prit ne para zyrës me stafin e Presientes mu duk pak si ofendim” është shprehur kreu i AAK-së.

 Haradinaj ka sqaruar se pse për të ishte ofendim një pritje te tillë.

“Shiqoni nëse unë e kam kërkuar një takim te Presidentja, atëherë ekziston mundësia që Presidentja mundohet me ta akomoduar takimin, pra ndoshta nuk ka shumë kohë, por ta gjen një kohë dhe kur shkon ti e toleron, por kur e kërkon takimin ditë më përpara, e cakton orën ti ia konfirmon dhe mbërrin në kohë dhe ajo thotë po vazhdojë me Abdixhikun, nuk është në rregull po u them nuk praktikohet një logjikë e tillë”, ka thënë ai.

Megjithatë, Haradinaj ka lënë mundësinë për një takim ditëve në vijim me Presidenten, nëse kjo e fundit e fton.