Përçahet AAK-ja, Shkumbin Demaliaj shpall kandidaturën për të drejtuar Deçanin

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, ka njoftuar se në zgjedhjet e ardhshme komunale ai do të jetë kandidatë i pavarur për kryetar të Deçanit.

Këtë njoftim ai e ka bërë përmes profilit të tij në Facebook, derisa ka shprehur pakënaqësi për udhëheqjen e pushtetit komunal që vjen nga AAK.

“Duke parë se pushteti aktual qeverisës në Komunën e Deçanit është i infektuar deri në palcë dhe Aleanca në Deçan ka dalë nga binarët e saj dhe pakënaqësia qytetare është ekstremisht e lartë.!!”, ka shkruar Demaliaj.

Ish-deputeti thotë se për këtë iniciativë të tij tashmë është konsultuar me qytetarë.

“Andaj edhe kur më keni pyetur se a e kam me të vërtetë??? Unë sot po ju them se përfundimisht e kam me të vërtetë dhe do të jem pranë jush deri në finale kur do ta përmbysim këtë klikë qeverisëse dhe do ta kthejmë AAK-në në binarët e saj dhe meritokracia dhe transparenca do të mbizotëroj në qeverisje lokale në Deçan.!!”.

Demaliaj ka shtuar se për më tepër në zgjedhjet lokale 2025 do të aplikojë edhe me listë zgjedhore për Asamble Komunale.

Mirëpo në zgjedhjet qendrore ai është shprehur se do të jetë lojal ndaj Ramush Haradinajt.

“Unë për të qenë sa më pranë jush nuk do të jem kandidat për Deputet në zgjedhjet qendrore.!!”, ka shkruar tutje Demaliaj.

Megjithatë , ai ka lënë edhe një derë hapur për të ndryshuar këtë vendim, nëse sipas tij “ka reflektim nga AAK”.

“Presim reflektim të AAK-së që ta vlerësoj këtë situatë dhe Kandidaturën tonë ta pranoj si ofertë të sinqertë dhe fitoren ta bëjmë më bindëse dhe të gjithë qytetarët ta gëzojnë këtë fitore.!!”, ka shkruar Demaliaj.