Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar lidhur me Asociacionin, raporton Ekonomia Online. Ai tha se SHBA-ja beson se formimi i Asociacioni është obligim i Kosovës, duke përmendur edhe Bashkimin Evropian e pret këtë gjë.
Ambasadori u shpreh i habitur me komentet dhe kritikat që janë duke u bërë për draft-statutin, të propozuar prej zyrtarëve të lartë perëndimorë.
Ai i ka bërë këto deklarata, pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë.
“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”.
“ShBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë rikthesuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim. Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Sërpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”.
“Kjo është pyetje për [të dërguarin e BE-së për dialogun Kosov;-Serbi, Mirosllav] Lajçakun, mendoj se ai i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve se është i hapur për komente. Mirëpo ekipi i Lajçakut, me mbështetje të SHBA-së, kanë punuar nga afër në këtë draft, për të garantuar se i përmbush të gjitha kushtet që i përmenda. A ka vend për përmirësime? Ndoshta. Por, nuk duhet humbur kohë në specifika për të humbur momentumin, për të ecur përpara me Asociacionin”.