Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka këmbëngulur se vendi që ai udhëheq ka mbajtur qëndrimin e duhur ndaj Kosovës, duke shtuar se po të pranohej propozimi i tij për Asociacionin, do të kishte, sipas tij, rezultat më të mirë.
Rama propozoi një draftstatut të Asociacionit, i cili iu dërgua liderëve evropianë. Megjithatë, një i tillë nuk u pranua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Më vonë, Kurti e pranoi draftstatutin e ardhur nga Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se Kosova do duhet t’ia imponojnë Serbisë njohjen e Kosovës vetëm duke u ulur në tryezën e bisedimeve.
“Nuk kam pasur iluzione për asnjë nga këto aktorët publik që i njoh, nuk kam qëndrime për të modifikuar. Të kthehesha pas, do i bëja sërish, nuk jam i kushtëzuar në qëndrimet e mia. Kur ndodh diçka si në Banjskë mbajta qëndrimin e duhur, nuk duhet të jemi linear, por fleksibël në përpjekje për ta çuar kauzën aty ku duhet, dhe kjo arrihet vetëm ta mundim Serbinë në tryezë, ta imponojmë në tryezë njohjen e Kosovës”, ka thënë Rama në “A2 CNN”.
Rama ka theksuar se po të ishte lexuar propozimi i tij për Asociacionit, do të kishte dalë rezultat edhe më i mirë.
“Tani që është bërë fakt publik propozimi që kam bërë unë për Asociacionin. E kanë parë që do ishte më e udhës të mos ta kishin përjashtuar, por ta kishin lexuar, se do kishin dalë në një rezultat edhe më të mirë”, u shpreh ai.