Tragjedia e vrasjes së Liridona Ademajt ka marrë përmasa rajonale e përtej, pasi që e njëjta tanimë po komentohet me të madhe edhe në Shqipëri e Maqedoni, e madje edhe në vet shtetin ku dikur jetonte e ndjera, Suedi.
Ndonëse tanimë situata është kristalizuar sa i përket rrethanave të vrasjes, që dyshohet të jetë porositur nga burri i saj, Naim Murseli, motivet e një veprimi të tillë mbesin ende të paqarta, shkruan lajmi.net.
Këto ditë nëpër media e deklarime kemi dëgjuar versione të ndryshme: Nisur nga sigurimi i jetës së Liridona Ademajt që synonte ta përfitonte Naimi e deri tek më të pabesueshmit, se kinse Liridona dinte “sekrete” të burrit të saj që mund t’i prishnin punë atij apo reputacionit që ai kishte.
Asnjë version i deritanishëm nuk është zyrtar ngase Prokuroria po punon ende në identifikimin e një “nxitjeje” që e ka çuar Naim Murselin në veprime të këtilla ekstreme, saqë ta porosis e paguaj edhe vrasjen e bashkëshortes së tij.
Detaje të reja në publik:
Lajmi.net sjellë detaje të padëgjuara më herët në lidhje me gjendjen financiare të ish-këshilltarit të Pacollit në Suedi.
Kajtazi ka zbuluar se shteti suedez posedon arkivë për individë, shtetas të Suedisë, në lidhje me pasurinë e tyre, borxhet, vendbanimet, bizneset e gjithçka tjetër.
Sipas asaj që ka gjetur ky portal, ka gjetur në sistemin suedez të të dhënave, del se Murseli, bashkë me bashkëshorten e tij në Suedi jetonin në një ndërtesë në katin -1, apo siç njihet tek ne, në bodrum.
Për më tepër, edhe bizneset e Liridonës kishin operuar me humbje, teksa Naimi as që kishte një të tillë në emër të tij.
Tutje, siç sqaron gazetari Kajtazi, Naimi, Liridona dhe babai i Murselit, Shabani, kishin pasur borxhe ndaj shtetit suedez, me mundësi të mëdha për zgjidhje të çështjeve tek përmbaruesi.
Madje, sipas asaj që konstatohet, Naimi, bazuar në gjendjen që e kishte në databazën zyrtare, nuk kishte të drejtë të blente as veturë.
Sqarim për borxhet ndaj shtetit suedez:
Naim Murseli – 110 mijë krona suedeze borxh, apo rreth 10 mijë euro.
Liridona Murseli – 9519 krona suedeze borxh, apo 841 euro.
Si dhe Shaban Murseli që kishte 35 mijë e 661 krona suedeze borxh, apo 3100 euro.