Në varrimin e gruas së vrarë në Prishtinë, vjehrri i saj Shaban Murseli para mediave ka sqaruar disa nga thashethemet dhe versionet e ndryshme rreth vrasjes së rëndë dy ditë më parë.
Murseli ka bërë të ditur se ka dëgjuar disa thashetheme, por ka theksuar se versioni më i saktë është se e ndjera kishte rezistuar gjatë grabitjes.
Ai ka shtuar se çifti ishte duke rregulluar shtëpinë e tyre në Prishtinë për të hyrë, kur janë sulmuar nga grabitësit.
Ata i kanë marrë vlerat e vlefshme, duke përfshirë telefonat dhe arin.
Sipas tij, versioni i dhënë nga burri i saj, Naimi, është se ajo është ngatërruar me rripin e sigurisë gjatë tentativës së tyre për të ikur.
“Ka thashetheme, por version më i saktë është se ka rezistuar. Kishin blerë shtëpi në Prishtinë, ishin duke rregulluar shtëpinë për të hyrë. I kanë plaçkitur, kanë marrë telefonat, ari, ende nuk i kam parë nipat. Versioni i tij (Naimit) është se i ka gjuajtur fëmijët prej kerri, edhe në gjuhën suedeze i ka thënë ik, siç duket është ngatërruar nusja me rripin e sigurisë”, ka deklaruar ai para mediave.
Gjithashtu, ka theksuar se është e rëndësishme të mos manipulohet me ngjarjen, duke shtuar se Naimi djali i tij e ka dashur shumë gruan, tashmë të ndjerë.