Një rast tragjik ndodhi sonte, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ku u vra gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.
Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me velrë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare.
Kjo ngjarje tronditi gjithë familjen Murseli dhe hetimet tashëm kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit.
Naim Murseli ka rrëfyer para zyrtarëve policorë për incidentin që iu ndodhi, ku mbeti e vdekur bashkëshortja e tij.
Dy të dyshuarit arritën të ikin nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që lokacioni ku ndodhi krimi tashmë është rrethuar me shirita.
Sinjali merr vesh se kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur, që ua kanë zënë pritën me veturë familjes Murseli.
Dy grabitësit, sipas informacioneve të para kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit Golf 5, por që Policia është në kërkim edhe të një veture BMW me targa të huaja.
Siç ka deklaruar Murseli para hetuesve policorë, hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.
Kjo situatë, sikur ka deklaruar Murseli, e çoi që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.
Këto janë vetëm disa nga detajet që Museli i ka rrëfyer para Policisë dhe sipas informacioneve që janë mbledhur deri më tani pistat pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i Murselit.
Lajmin për mediet e ka konfirmuar Policia dhe ka njoftuar se trupi i pajetë u gjet brenda veturës.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.
Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, njoftoi Policia.
(Foto: Nacionale)