Kurti: Reforma e Administratës Publike është prioritet i Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Konferencës ‘’KosovaPar2023’’, ku u diskutua për të ardhmen e Administratës Publike, fleksibilitetin, stabilitetin dhe digjitalizimin e Administratës Publike, organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngjarje kjo e cila do të bëhet vjetore.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e nisi me një falënderim ndaj ministrisë përkatëse për organizimin e kësaj konference siç e quajti ai, shumë të rëndësishme për vendin tone dhe për Administratën Publike.  

Për kryeministrin Kurti, këto konferenca janë të rëndësishme sepse bëjnë bashkë akademikë, zyrtarë publikë nga vendi dhe bota për të debatuar, për të shkëmbyer si ide ashtu edhe përvoja rreth praktikave më të mira të reformimit të administratës publike.

‘’Reforma e administratës publike, dua të theksoj se është prioritet i Qeverisë sonë. Praktika e shteteve të tjera në Evropë ka dëshmuar se një administratë publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse është çelësi i të gjitha reformave të tjera. Pra, reforma e administratës publike nuk është si çfarëdo reforme tjetër, për shkak se ajo është reforma që mundëson reformat e tjera’’ u shpreh kryeministri.

Përveç funksionimit të mirë të institucioneve, kryeministri veçoi se reforma e Administratës Publike gjithashtu sjell përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, rritjen ekonomike, drejtësinë dhe punësimin, e rrjedhimisht edhe integrimin evropian e euro-atlantik. Andaj ne jemi të përkushtuar që këto reforma t’i bëjmë realitet.

Ai përmendi dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë, përmes të cilit kemi krijuar mekanizma, ndër të tjera, edhe për rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike; rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore dhe këtu me theks të veçantë tek bashkatdhetarët tanë e mërgata jonë; hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese; përfaqësimin e drejtë të komuniteteve jo shumicë  në çdo kategori; mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara; jetësim i konceptit të karrierës dhe mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale.

Ndërkaq duke folur për Ligjin për Pagat e Zyrtarëve Publik, kryeministri Kurti theksoi se ai mundëson shpërblim meritor për zyrtarët publikë, duke hequr padrejtësitë, arbitraritetet dhe keqpërdorimet.

“Kemi kaluar nga një gjendje kaotike me 58 akte normative që rregullonin pagat në vetëm një ligj gjithëpërfshirës, nga 58 në 1; nga 170 shtesa e bonuse të ndryshme, pa asnjë kriter dhe procedurë, në vetëm 15 shtesa mirë të definuara e me kritere e procedura të qarta, pra nga 170 në 15, nga 58 në 1” deklaroi ai, teksa shtoi se dallimi në mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë, ka kaluar nga 20 herë sa ishte në vetëm 4.78 herë duke vlerësuar se ky raport i ndihmon luftimit të pabarazisë së brendshme, por edhe dinjitetit njerëzor e ekonomisë në përgjithësi së jashtme.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo konferencë ndërkombëtare që është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë, tregon se synimi ynë për një administratë shtetërore moderne dhe efikase nuk ishte vetëm një premtim. Ai theksoi se janë këmbëngulës që administratën publike ta kthejnë në një shërbim të përkushtuar për mbështetje të zhvillimit shoqëror, forcimit të shtetit e ngritje të shërbimeve për secilin qytetar e komunitet, të bindur se kjo është mënyra më e mirë për arritjen e objektivave qeveritare për mirëqenie e zhvillim.

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:

I nderuari z. Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës,

I nderuari z. Elbert Krasniqi, ministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal,

E nderuara znj. Elisa Spiropali, ministrja e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin e Republikës së Shqipërisë,

I nderuar z. Bardhyl Dobra, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme,

Të nderuar ambasadorë të Republikës së Gjermanisë dhe të Francës, z. Jorn Rohde, dhe z.  Oliver Guerot,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Përfaqësues të shteteve mike në Republikën e Kosovës,

Të nderuar deputetë të kuvendit, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,

Përfaqësues e drejtues të institucioneve vendore

I nderuari profesor Drechsler,

Të nderuar pjesëmarrës nga shumë vende të botës dhe nga Kosova,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Po e falënderoj me këtë rast Ministrinë e Punëve të Brendshme për organizimin e kësaj konference shumë të rëndësishme për vendin tonë por edhe për Administratën Publike sepse administrata publike dhe shteti republikan ja japin kuptimin njëri – tjetrit jo vetëm në Kosovë por kudo në botë. E më lejoni që ta vazhdoj këtë falënderim posaçërisht me juve pjesëmarrës që sot keni ardhur nga 20 vende të ndryshme e kontinente si Afrika, Amerika e Veriut, Amerika latine, Azia, e kuptohet edhe nga shtete të rajonit e të kontinentit tonë, Evropian.

Ju keni ardhur për t’u bërë pjesë e konferencës së parë ndërkombëtare për administratë publike, KosovaPAR2023, e cila nga ky vit do të shndërrohet në një ngjarje vjetore. Janë të rëndësishme këto konferenca sepse bëjnë bashkë akademikë, zyrtarë publikë nga vendi dhe bota për të debatuar, për të shkëmbyer si ide ashtu edhe përvoja rreth praktikave më të mira të reformimit të administratës publike. E kur jemi tek reforma e administratës publike, dua të theksoj se ajo është prioritet i Qeverisë sonë. Praktika e shteteve të tjera në Evropë ka dëshmuar se një administratë publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse është çelësi i të gjitha reformave të tjera. Pra, reforma e administratës publike nuk është si çfarëdo reforme tjetër, për shkak se ajo është reforma që mundëson reformat e tjera.

Përveç funksionimit të mirë të institucioneve reforma e administratës publike gjithashtu sjell përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, rritjen ekonomike, drejtësinë dhe punësimin, e rrjedhimisht edhe integrimin evropian e euro-atlantik. Andaj ne jemi të përkushtuar që këto reforma t’i bëjmë realitet. Ka një mori studimesh, të cilat vërtetojnë që shpejtësia e integrimit evropian të një vendi që aspiron anëtarësim në Bashkimin Evropian, me cilësinë e administratës publike e ka korrelacionin më të fortë edhe se me mirëqenien qytetare, zhvillimin ekonomik apo progresin shoqëror. Pra cilësia e administratës publike është edhe më e rëndësishme se sa këto të tjerat sa i përket shpejtësisë me të cilën një vend anëtarësohet në BE.

Tema e konferencës “Reforma e Administratës Publike për një qeverisje fleksibile dhe të qëndrueshme”, reflekton synimin e qeverisjes që unë drejtoj për një qeverisje të mirë në plotkuptimin e fjalës.  Një qeverisje pra që funksionon mbi parime si ligjshmëria, shteti i së drejtës, efikasiteti i institucioneve, shërbimi ndaj qytetarëve, transparenca dhe llogaridhënia. Ky synim i yni, të cilit i janë bashkuar qytetarët tanë në mënyrë plebishitare, arrihet përmes reformimit të administratës publike. E ky proces është tashmë në zbatim e sipër.

Qeveria është duke punuar ngushtë me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, disa prej tyre të pranishëm sot këtu, e ka miratuar tashmë strategjinë e re për administratë publike dhe atë për e-qeverisje, për qeverisje elektronike që të dyja të bashkërenditura me Planin për Zhvillim Kombëtar 2030. Është bërë shumë punë e madhe me ligjin për zyrtarët publikë dhe ligjin për paga në sektorin publik. Në dy fjalë, ligji për zyrtarët publik e mundëson profesionalizmin e administratës publike duke përforcuar kapacitetet e saja njerëzore. Ndërkaq me Ligjin për Zyrtarët Publikë kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për sa vijon:

–          Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike; Administrata publike sikurse shteti duhet të jetë jo vetëm garantues i shërbimeve publike, po njëkohësisht edhe i hapur për të gjithë qytetarët, që bëhen shërbyes për qytetarët.

–          Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore dhe këtu me theks të veçantë tek bashkatdhetarët tanë, mërgata jonë, e dimë që çdo i treti qytetar i vendit tonë, nuk është edhe banor, dhe te praktika për të rinjtë e për të rejat. Duhet të kemi kujdes që edhe ata të cilët janë jashtë vendit, janë brenda kombit, e në anën tjetër duhet të kujdesemi edhe për brezin e ri, e kujdesi për ata që vijnë pas neve fillon me kujdesin për rininë me përfshirjen, me integrimin e rinisë;

–          Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese; nuk mund të kemi barazi shoqërore, nëse nuk kemi barazi gjinore dhe luftimi i pabarazisë, testin më të saktë e ka pikërisht tek pjesëmarrja e grave dhe te vendimmarrja e grave.

–          Përfaqësim i drejtë të komuniteteve jo shumicë në çdo kategori;

–          Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

–          Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civilë duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave sikurse Young Cells Scheme; dhe,

–          Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale, me ç’rast kemi edhe matjen e performancës për cilësinë e me drejtësi. Nuk e duam cilësinë pa drejtësi, por edhe një drejtësi e cila nuk është në shërbim të rritjes së cilësisë, po ashtu nuk ka qëndrueshmëri.

Ky ligj mundëson po atë që do të diskutohet në dy ditët e ardhshme të kësaj konference: fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë. Pra, është e mundshme të jesh aktualisht fleksibil dhe i qëndrueshëm potencialisht, e në kohë.

Për ta plotësuar këtë veprim, ligji i pagave mundëson shpërblim meritor për zyrtarët publikë, duke hequr padrejtësitë, arbitraritetet dhe keqpërdorimet. Pra, kemi kaluar nga një gjendje kaotike me 58 akte normative që rregullonin pagat në vetëm një ligj gjithëpërfshirës, nga 58 në 1; nga 170 shtesa e bonuse të ndryshme, pa asnjë kriter dhe procedurë, në vetëm 15 shtesa mirë të definuara e me kritere e procedura të qarta, pra nga 170 në 15, nga 58 në 1.

Dallimi në mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë, pra “compression ratio” ka kaluar nga 20 herë sa ishte në vetëm 4.78 herë. Në administratën tone, raporti i pagës më të lartë me atë më të ulët ka qenë 20 me 1, tash është 4,78 me 1. Kjo i ndihmon luftimit të pabarazisë së brendshme, por i ndihmon edhe dinjitetit njerëzor e ekonomisë në përgjithësi së jashtme.

Meqenëse unë edhe i përkas një rryme makroekonomike le të themi që konsideron se sa më e vogël pabarazia në shoqëri, aq më e madhe edhe kërkesa agregate në ekonomi. Në këtë mënyrë, ne me shembullin tonë në administratën publike përbrenda shtetit tregojmë se si duhet të jetë shoqëria në atë shtet. Fillojmë prej vetes, udhëhiqemi me shembullin tonë edhe për të tjerët, edhe për veten.

Paralelisht, racionalizimi i agjencive e mundëson rritjen e shpejtësisë së ekzekutimit të vendimeve dhe përmirësimin e efikasitetit të administratës publike. Numri i shërbimeve publike të digjitalizuara ka kaluar nga më pak se 20 në mbi 150 shërbime përmes portalit unik e-Kosova, duke përfshirë shërbime të gjendjes civile si certifikatat e lindjes, martesës, vdekjes e të tjera, tatimi në pronë, grantet dhe subvencionet, tiketat e policisë e kështu me radhë.

Kosova mund të jetë një vend relativisht jo i madh, por ajo dhe populli i saj janë pishtarë të idealeve të inspiruara nga mendjet më të ndritura në botë. Kosova është dhe vazhdon të jetë shembull se si me përkushtim dhe punë mund të arrihet shumë, se si me qeverisje të mirë rankimi në të gjithë indikatorët ndërkombëtarë për qeverisje të mirë, ligjshmëri, shtet të së drejtës, demokraci, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, liri të mediave dhe të drejta të njeriut, e politike, e civile, jo vetëm se janë përmirësuar por e kanë bërë Republikën e Kosovës lidere në Ballkanin Perëndimor.

Si rrjedhojë e punës konkrete, sipas Barometrit për Ballkanin 2023, 56% e qytetarëve i besojnë Qeverisë; rritja mesatare ekonomike për vitet 2021 dhe 2022 mesatarisht ka qenë 7.9%, trendi i rritjes ekonomike ka vazhduar edhe në këtë vit, inflacioni ka rënë nga 12% sa ishte në janar në 3.3% sa ishte në tetor; 60 mijë vende të reja të punës për rreth dy vite e gjysmë janë regjistruar, që është një rritje prej rreth 16%; janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte, kurse të hyrat tatimore janë rritur për 2/3 pa e ndryshuar politikën fiskale.

Sepse kur qytetarët e Republikës shohin një administratë publike dhe një qeverisje demokratike e cila nuk ka korrupsion, ata janë shumë më tepër të gatshëm që të kontribuojnë e të paguajnë tatime, dhe në anën tjetër kur janë optimist për të ardhmen më parë shpenzojnë sesa kursejnë që është edhe mirë për jetën e tyre individuale e familjare, por edhe për ekonominë e vendit tonë.

Si rrjedhojë, ne kemi arritur që nga kjo rritje ekonomike të kemi mundësi për mirëqenien shoqërore. Nuk duam që rritja ekonomike që e mundëson edhe sektori privat edhe ai publik të ngelet në shtet, por kemi rishpërndarë 842 milionë euro me vendime qeveritare për qytetarët e Republikës, pa krijuar borxhe të reja. Pra, nuk është rritje e mirëqenies përmes rritjes së borxhit, po përmes rritjes së ekonomisë.

Jam i bindur që prej shkëmbimeve që ju do të keni për këto tema dhe shumë të tjera, do të dalin ide të reja, sugjerime, të cilat na mundësojnë ta bëjmë administratën dhe qeverisjen tonë më inovative, më të shkathët, e para së gjithash më fleksibile e më të qëndrueshme njëkohësisht. Rrjedhimisht, edhe burokracia jonë të kontribuojë në bërjen e qeverisjes sonë më të aftë për të qenë akter dhe përkrahës i denjë në inovacion, në zhvillim, por edhe mburojë për ata në nevojë. Diskutimet do të na ndihmojnë në vazhdimin e reformave tona, të cilat shtjellohen në përputhje me synimet tona për integrim në Bashkimin Evropian. Kjo përvojë do ndahet me ju edhe gjatë paneleve nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Por të dashur pjesëmarrës, ne nuk mund të kënaqemi me kaq. Nevojat dhe sfidat janë të mëdha, siç është edhe vullneti e përkushtimi e puna e angazhimi ynë për ta bërë ndryshimin të qëndrueshëm e të pakthyeshëm në kuptimin pozitiv e progresist të fjalës. Andaj, edhe konferenca KosovaPAR2023 është mundësi shtesë që të punojmë edhe më shumë, të këmbejmë me profesionistë nga mbarë bota, që ndryshimi që është duke ndodhur të bëhet edhe më i thellë edhe më gjithëpërfshirës. Punime të mbara e mezi pres që t’ua prezantojmë arritjet tona të reja pas një viti në KosovaPAR2024!

Faleminderit.