Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për ta kthyer lëndën për “Rrugën “A” në rishqyrtim dhe rivendosje.
Teksa ka publikuar pamje nga rifillimi i punimeve në këtë rrugë, Rama e ka cilësuar vendimin e Komerciales si lajm të mirë për kryeqytetin.
“Lajm i mirë për Kryeqytetin! Rinisin punimet në rrugën ‘Xhim Xhema’ (Rruga A). Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale aprovon ankesat tona dhe shfuqizon vendimin e Shkallës së Parë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e kanë aprovuar si të bazuar ankesën e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” sh.p.k, duke e kanë kthyer lëndën për “Rrugën “A” në rishqyrtim dhe rivendosje në dhomën e shkallës së parë.
Vendimi i marrë më 16 nëntor 2023, thotë se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore.