Më shumë se gjysma e pacientëve që po trajtohen për COVID-19 në spitalet dhe klinikat e Kosovës, po trajtohen me oksigjenoterapi, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës në raportin e së enjtes.
Prej 181 pacientëve që po trajtohen në SHSKUK, 144 prej tyre janë të konfirmuar me COVID-19 dhe 37 të tjerë post-COVID-19. 98 pacientë po trajtohen me oksigjenoterapi.
Në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive janë tre pacientë.
Në Infektive po trajtohen 67 pacientë, në Pulmologji 34 post-COVID, në Pediatri nëntë pacientë dhe në Gjinekologji dhjetë.
Spitali i Gjakovës ka 16 pacientë, si spitali rajonal me më së shumti pacientë. Në atë të Mitrovicës po trajtohen 12 pacientë, ndërsa në të Gjilanit 11. Në Spitalin e Pejës po trajtohen nëntë pacientë, ndërsa në të Prizrenit 6 e atë të Ferizajt 4.
Shtimi i rasteve me COVID-19 ka çuar në ngritje të atyre që po kërkojnë trajtim në spitale dhe klinika. Një ditë më herët, në SHSKUK po trajtoheshin 167 pacientë.