9 pacientë me koronavirus të shtrirë në Infektivë, një në gjendje kritike

Nëntë pacientë me koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive në Kosovë, tre prej tyre janë në kujdes intensiv, ndërsa një 59-vjeçar është në gjendje kritike.

Është raportuar se të gjithë të infektuarit kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Në Klinikën Infektive janë të shtrirë nëntë pacientë me COVID-19, ndërsa prej tyre në mjekim intensiv janë tre pacientë. Njëri prej tyre është i intubuar në gjendje tejet të rëndë dhe kritike mund të themi. Dy të tjerë janë me oksigjeno-terapi, por po trajtohen në mjekimin intensiv. Ndërsa nëpër reparte tjera kemi një pacient në gjendje më të rëndë që është me oksigjeno-terapi dhe një pacient tjetër që kohë pas kohe duhet të asistohet me oksigjeno-terapi. Pacientët në mjekimin intensiv janë të moshës 59-vjeçare, 71-vjeçare dhe 72-vjeçare”, ka thënë infektologia Vera Berisha-Ndreja për “KosovaPress”.

Në Kosovë, që nga rasti i parë me COVID-19 më 8 shkurt, janë regjistruar 1032 raste dhe 29 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.