Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nëntë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19 po marrin trajtim shëndetësor, ndërkaq edhe tre pacientë pritet që të shtrohen në këtë Klinikë.
Doktoresha Sadije Avdiu nga Klinika Infektive, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm një paciente është në gjendje më të rënduar shëndetësore.
“Në Klinikën Infektive janë të shtruar 17 raste, prej tyre nëntë pacientë pozitivë me COVID-19. Për tri raste të tjera jemi në pritje që të pranohen në Klinikë. Tri pacientë janë me oksigjenoterapi. Gjendja më e përkeqësuar është e pacientes është pranuar para një jave, e cila është nga Rahoveci dhe që është edhe në dializë. Ajo e ka pak gjendjen më të rënduar”, tha Avdiu.
Në Klinikën Infektive vazhdojnë të marrin trajtim edhe pesë pacientë që kanë rezultuar negativë në testimet e fundit për koronavirus.
Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë 870 raste me koornavirus, ku 653 pacientë janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.