86 prej të infektuarve nga Ferizaj janë punëtorë të Bondsteel-it ose familjarë, në mesin e tyre edhe një foshnje 10 muajshe

Për gati një muaj, janë konfirmuar 90 raste me COVID-19 në Ferizaj. 86 prej të infektuarve janë punëtorë në Kampin Bondsteel ose familjarë të tyre, në mesin e të cilëve edhe një foshnjë 10 muajshe. Nëntë rastet e fundit nga kjo komunë janë konfirmuar mbrëmë, derisa sot është bërë testimi i personave të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit, rezultatet e të cilëve pritet të dalin në mbrëmje, raporton Express.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i ka thënë Gazetës Express se të gjitha rastet që u konfirmuan mbrëmë janë raste kontakti të të infektuarve që dolën pozitiv para dy ditësh

Sipas Aliut, sot janë përcjellë për testim 25 mostra të personave që kanë qenë në kontakt me të infektuarit dhe se rezultatet e tyre pritet të dalin në mbrëmje.

Ai ka treguar se 86 prej të infektuarve nga kjo komunë, janë punëtorë të Bondsteel’it ose familjarë të tyre.

“Mbrëmë janë konfirmuar nëntë raste të reja. Të gjitha këto raste janë raste kontakti të të infektuarve që dolën para dy dite. Në Ferizaj i kemi 90 të infektuar deri tani, ku 86 prej tyre janë punëtorë të Bondsteel’it dhe familjarë të punëtorëve. Tri raste të tjera janë raste kontakti nga Topanica e Kamenicës dhe për një nuk dihet burimi i infeksionit dhe të gjithë familjarët e tij janë negativë”, ka thënë Aliu për Express.

Aliu ka folur edhe për moshën e të infektuarve nga kjo komunë. Në mesin e të infektuarve nga Ferizaj po del të jetë edhe një foshnje 10 muajshe.

“Në Ferizaj mosha e të prekurve është e ndryshme. Kemi prej një foshnje 10 muajshe e deri te mosha 80 vjeçare. Sot i kemi përcjellë për testim 25 mostra, për të cilat po presim rezultatet”, ka deklaruar Aliu.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar 51 raste të reja me COVID-19.

“Sot më 19 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 295 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej pesëdhjetë e një (51) raste”, ka njoftuar Instituti.

Me rastet e konfirmuara mbrëmë, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 561.

Në mesin e tyre, 102 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /Gazeta Express/