832 milionë euro është hendeku në mes të hyrave e shpenzimeve

Rekord i zi është thyer në Kosovë me hendekun ndërmjet të hyrave buxhetore dhe shpenzimeve që realizohen brenda një viti. Ai është saktësisht 831.9 milionë euro, shumë kjo që është sa katërfishi i vitit paraprak.

E dhëna ndodhet në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) referuar periudhës 2021-2023, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA të premten.

Është hera e parë që ky dokument është rishikuar, pas miratimit. Ndryshimet janë aprovuar këtë javë në Qeveri, e në to tregohet se në vitin 2020 do të arkëtohen 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa është planifikuar të shpenzohen 2 miliardë e 620 milionë euro.

Mbështetur në projeksionet e ekzekutivit, dallim i madh mes të hyrave e shpenzimeve do të përjetohet edhe në 2021-n. Në këtë vit, hendeku do të jetë më i madh se gjysmë miliardi euro, e ai është projektuar të zbehet në 2022-n, kur është shprehur pritja të jetë 339 milionë euro. Projeksionet e Qeverisë thonë se tek në vitin pasues dallimi do të zbresë nën 300 milionë.

Por, ky përmirësim nuk do të jetë si rezultat i shtimit substancial të të hyrave, por kryesisht i uljes së shpenzimeve. Ndonëse për sivjet është paraparë që shpenzimet të jenë 2.62 miliardë euro, në tre vjetët pasues është projektuar të jenë më të ulëta: në 2021-n 2.47 miliardë euro, në 2022-n 2.35 miliardë euro e në 2023-n 2.41 miliardë euro.

Bazuar në dokument, rishikimi KASH-it është hartuar me qëllim të reflektimit të ndryshimeve të dukshme në treguesit kryesorë ekonomikë, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Dokumenti ishte hartuar në prillin e sivjetmë duke u bazuar në një situatë socioekonomike të vështirësuar, e karakterizuar me pasiguri të lartë për pjesën e mbetur të vitit, shkaktuar nga situata pandemike.

“Treguesit kryesorë ekonomikë, kryesisht ata fiskalë, gjatë muajve të fundit sinjalizojnë se pritjet për fundin e vitit 2020 ndryshojnë dukshëm në krahasim me periudhën gjatë së cilës u përgatit KASH-i fillestar”, thuhet në dokument. “Duke e pasur parasysh rëndësinë e KASH-it në orientimin e përgatitjes së Buxhetit për vitin 2021, proces i cili pritet të fillojë së shpejti, Ministria e Financave ka vendosur që për herë të parë ta rishikojë”.

Dallimi në mes të të hyrave dhe shpenzimeve do të shtrojë nevojën për burime të tjera financiare. Në dokument është shprehur pritja që hendeku të zbutet nga 321 milionë euro, që synohet të sigurohen nga jashtë, dhe 367 milionë euro të tjera nga brenda.