8 rastet e së shtunës me koronavirus, nga një klinikë private gjinekologjike në Prishtinë

Të gjitha rastet e reja me koronavirus të regjistruara të shtunën në Kosovë, janë raste nga një klinikë private gjinekologjike në periferi të Prishtinës, ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai në një postim në Facebook ka treguar se të dielën do të testohen më shumë se 60 persona, kontakte të këtyre rasteve. Ai ka thënë se punëtorët shëndetësorë të kësaj klinike kanë pasur të drejtë lëvizjeje gjatë pandemisë, dhe një numër i tyre kanë punuar edhe në institucione publike shëndetësore.

“Rasti i djeshëm në Prishtinë dhe rastet e tjera sot jo vetëm në Prishtinë janë të gjitha nga një klinikë private gjinekologjike në periferi të Prishtinës. Pra edhe rasti i Obiliqit, Klinës dhe Gjilanit janë ose punëtorë ose familjarë të punëtorëve të Klinikës. Punëtorët shëndetësorë kanë pas të drejtën e lëvizjes gjate pandemisë. Një numër i tyre punojnë edhe në institucionet publike shëndetësore. Nesër do të bëhen mbi 60 testime të kontakteve të këtij rasti. Edhe këtë sfidë do ta kalojmë e ne si Komunë presim rekomandimet e IKSHP dhe Ministrisë së shëndetësisë për izolimet e këtyre rasteve dhe ndalimin e përhapjes së virusit. Këto raste të reja na tregojnë rrezikun që e kanë punëtorët shëndetësorë në punën e tyre”, ka shkruar Ahmeti.

Po ashtu erdhe të infektuarit nga Gjilani e Obiliqi janë punonjës shëndetësorë në Prishtinë

Dy nga tetë të regjistruarit si të infektuar me koronavirus të shtunën janë punonjës shëndetësore në Prishtinë. Lajmi është bërë i ditur nga kryetarët e Gjilanit dhe të Obiliqit, që njoftuan se rastet e së shtunës janë të dy punëtorë shëndetësorë në spitale private në kryeqytet.