Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se janë konfirmuar të shtunë edhe 8 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 870.
“Sot më 09 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 177 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar tetë (8) raste”, njofton instituti, raporton Gazeta Stop.
Rastet pozitive, sipas IKSHPK-së, janë raste kontakti nga: Komuna e Prishtinës 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prishtinë), Komuna e Mitrovicës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Mitrovicë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Llazarevë- Obiliq, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
Po ashtu IKSHPK-ja, ka njoftuar se të shtunën janë shëruar 31 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 653 raste.
“Nga data 08 shkurt deri më 09 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.734 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë 870 raste, me 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”.