8 raste të reja me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 8 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 927.

“Sot më 13 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 8 raste”, ka bërë të ditur IKSHPK-ja.

Rastet pozitive, janë raste kontakti nga: Komuna e Rahovecit 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Rahovec), Komuna e Mitrovicës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Mitrovicë) dhe Komuna e Vushtrrisë 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Vushtrri).

“Nga data 08 shkurt deri më 13 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.642 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 927 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”.