730 milion paundë, Sunak më i pasur se mbreti, a është shumë i pasur për të qenë kryeministër?

A e bën Rishi Sunakun pasuria e tij 730 milionë paundë shumë të pasur për të qenë kryeministër i Anglisë, është pyetja e shtruar që në titull nga The Guardian, teksa artikulli që pason i gazetës prestigjioze britanike nënvizon sesi kjo pasuri e ish ministrit te financave që tashmë do të marrë në dorë frerët e ekzekutivit është dy herë më e madhe se ajo e mbretit Charles, i cili llogaritet të zotërojë 300 apo 350 milionë paundë.

Sunak dhe bashkëshortja e tij, trashëgimtarja e pasur Akshata Murty, e rivalizojnë po kështu monarkun edhe në raport me rezidencat zyrtare. Ish kancelar, që pas tërheqjes se Boris Johnsonit nga gara për kryeministër, e pati thuajse të hapur rrugën drejt kreut të partisë Konservatore dhe të vetë ekzekutivit me mposhtjen e lehtë të rivales Penny Mordaunt, ka një sërë pronash një Mbretërinë e Bashkuar e një vilë luksoze në Kaliforni. Në kohën kur miliona britanikë luftojnë për të përballuar koston e rritur të jetesës në mesin e një krize që ka goditur rëndë sidomos Europën, kryeministri i ri është e qartë se nuk mund ta ndiejë vuajtjen e tyre.

Fundjavave, Sunak, e shoqja dhe dy vajzat tërhiqen në njërën prej rezidencave të tyre, atë të ndodhur në fshatin piktoresk të Kirby Sigston, e cila është transformuar në një lloj qendre mirëqënieje, thotë The Guardian, me një pishinë 400,000 £, palestër, studio për yoga, sauna e një  fushë tenisi. Vetëm për të ngrohur pishinën 12 metra të gjatë e 5 të gjerë, vazhdon shkrimi, kushton mbi 14,000 £ në vit për të ngrohur pishinën 12 me 5 metra – gati gjashtë herë më shumë se fatura mesatare e energjisë për familjet britanike.

Një pasuri e tillë i ka bërë disa njerëz të pyesin nëse Sunak është tepër i kamuar për të kuptuar betejat e përditëshme të votuesve të tij për të përballuar jetesën. Ligjvënësja laburiste Rachael Maskell, tha se pishina e tij tregon se kryeministri ri nuk mund të ishte më jashte realitetit se kaq, dhe se duket sikur ai “jeton në një tjetër planet”.

Ashley Blakely, coordinator e Asamblesë Popullor të Darlingtonit, u shpreh se ishte shumë e rëndë për të të shohë që Sunak shpenzon aq shumë para vetëm për të ngrohur pishinën e tij dhe për të organizuar festa, në një kohë kur ka prindër të vetëm, pensionistë dhe familje punëtorësh që do të ngrijnë këtë dimër.