70 milionë euro për vetëm tre ndeshje, rikthehet sulmuesi: Ishte frustruese, tani jam i lumtur!

Alexander Isak ishte goditja e madhe për Newcastle në merkaton e verës teksa e transferuan sulmuesin e talentuar nga Real Sociedad për shumën e 70 milionë eurove.

Megjithatë, 23-vjeçari rezultoi pa fat teksa u dëmtua në fillimin e sezonit pasi regjistroi vetëm tre ndeshje me fanellën e “Magpies” (shënoi dy gola). Gjithsesi, periudha e errët për Isak duket se është në përfundim me sulmuesin që shprehet se kaloi momente shumë frustruese.

“Dëmtimi është një frustrim i madh, kur mbërrin në një klub të ri nuk mund të rrish gjatë jashtë fushave të lojës. Të duket vetja i pafat, megjithatë më ka ndihmuar fakti që skuadra ia ka dalë të marrë rezultate pozitive.

Kjo më ndihmoi të përqendrohesha tek dëmtimi dhe tek rikuperimi, kam punuar me orë për t’u rikthyer sa më shpejt. Tani jam i lumtur dhe nuk dua ta mendoj më atë periudhë, dua të rikthehem të shënoj gola dhe të asistoj në çdo ndeshje”, u shpreh Isak.