Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmet në veri ndaj policisë së Kosovës, janë bërë për shkak të shtrirjes së ligjshmërisë në atë pjesë dhe kanë për qëllim destabilizimin e vendit.
Duke raportuar në Komisionin për Siguri, Sveçla tha se brenda 10 ditësh, policia është sulmuar gjashtë herë.
“Këto veprime janë bërë për shkak të shtrirjes së ligjshmërisë në atë pjesë. Kemi bllokuar disa rrugë të cilat kanë pamundësuar kontrabandat, këto sulme synojnë të shkaktojnë panik tek qytetarët dhe të destabilizojnë situatën në vend. Kemi rritur aktivitetet hetuese në atë zonë për zbulimin e autorëve të këtyre sulmeve”.
“Policia po i zbaton detyrat për çka i vlerësoj dhe i përgëzoj shumë. Këto sulme kanë krijuar ndjenjë pasigurie tek qytetarët atje. Angazhimi i suksesshëm i policisë ka bërë që të kemi një situatë stabile. Drejtësia në çdo cep të Kosovës është për të mbrojtur ligjshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve dhe kjo është arritur falë angazhimit të policisë”, tha më tej ministri.