Plot 58 raste me COVID-19 janë konfirmuar të premten.
Në Fushë Kosovë e Viti janë nga 12 raste, kurse në Prishtinë 11 raste. Numër të madh rastesh ka pasur edhe në Mitrovicë (10) e Vushtrri (9). Të infektuar ka pasur edhe në Prizren (3) dhe Rahovec (1).
Pos në Prishtinë, Prizren e Rahovec, në komunat tjera ka pasur raste të shumta nëpër fshatra.
Të premten janë testuar 227 mostra, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Ndërkohë nuk është njoftuar për ndonjë të shëruar.
“Në javët e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeria e Arteve si dhe në institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private”, ka njoftuar IKSHPK-ja.
Në Kosovë deri më tani janë testuar 17.934 persona. Numri i rasteve pozitive është rritur në 1384, ndërsa 31 persona kanë vdekur. Ata kanë pasur edhe sëmundje tjera.
Numri i rasteve aktive është rritur në 432.